VIDEO/ Malisheva shkëlqen në Evropë, mposht Hibernianin dhe hedh një hap të madh drejt raundit të tretë
Malisheva ka arritur një fitore historike në arenën evropiane, duke triumfuar 2-0 ndaj Hibernianit në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadra kosovare hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërsa gjithçka do të vendoset në takimin e kthimit që do të luhet pas një jave në Skoci.
Heroi i mbrëmjes ishte Kreshnik Uka, i cili vazhdon të konfirmojë formën e shkëlqyer edhe në skenën ndërkombëtare. Sulmuesi, golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës sezonin e kaluar me 19 gola, zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të, pasi shfrytëzoi në mënyrë perfekte një asist të Arlind Veliut dhe dërgoi topin në rrjetë nga afërsia.
Në minutat shtesë, Uka vulosi paraqitjen e tij fantastike duke shërbyer për Valmir Nafiun, i cili realizoi golin e dytë dhe i dha Malishevës një epërsi shumë të vlefshme për ndeshjen e kthimit.
Për klubin nga Kosova kjo është pjesëmarrja e tretë radhazi në kualifikimet e kompeticioneve evropiane, ndërsa skuadra po vazhdon të shkruajë historinë. Në raundin e parë, Malisheva eliminoi Vllazninë e Shkodrës, ndërsa tani është shumë pranë një tjetër suksesi ndaj një rivali me traditë si Hiberniani.
Klubi skocez është katër herë kampion i Skocisë dhe ka fituar tri herë Kupën e Skocisë, megjithëse titulli i fundit daton në sezonin 1951/52.
Nëse arrin të ruajë avantazhin në ndeshjen e kthimit, Malisheva do të sigurojë një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Bravos së Sllovenisë dhe Shkëndijës së Tetovës.
Malisheva 2-0 Hibernian - Valmir Nafiu 90'
by u/atbg1936 in soccer