Nga Ancelotti te Tuchel e Klopp, sa kushton të kesh një trajner të madh në stolin e një kombëtareje?
Rasti Guardiola ka rikthyer debatin për pagat e trajnerëve të përfaqësueseve dhe nëse është e drejtë të shpenzohen shifra të mëdha për një selektor
Ndërsa Italia po vlerëson lëvizjet për pankinën e Kombëtares, duke u përpjekur të balancojë disiplinën financiare me ambiciet e mëdha, tregu i trajnerëve të kombëtareve të tjera po ecën me ritme marramendëse. Mes klauzolave speciale, përjashtimeve ligjore dhe pagave marramendëse, federatat e mëdha ndërkombëtare nuk po kursejnë para, edhe pse rezultatet në fushë tregojnë se investimet e mëdha financiare nuk garantojnë gjithmonë sukses.
Në krye të renditjes botërore të trajnerëve më të paguar qëndron pikërisht një italian: Carlo Ancelotti. “Mbreti Karlo”, i cili ka kontratë me Brazilin deri në vitin 2030, përfiton rreth 10 milionë euro në vit, duke qenë trajneri i kombëtares me pagën më të lartë në botë.
Pas tij vijnë fuqitë e mëdha evropiane. Jürgen Klopp, i cili pritet të marrë drejtimin e Gjermanisë, po heq dorë nga 10-12 milionë euro në sezon që kishte të garantuara te Red Bulli si drejtues i futbollit global, për të pranuar një pagë pak më të lartë se 7 milionë euro në vit, në të njëjtin nivel me atë që përfitonte Julian Nagelsmann.
Thomas Tuchel, trajner i Anglisë, merr pak më shumë se 6 milionë euro në vit, plus bonuse, ndërsa Jorge Jesus, i emëruar së fundmi në stolin e Portugalisë, është detyruar të ulë ndjeshëm pagën e tij pas largimit nga Arabia Saudite. Nga një kontratë shumë e lartë tek Al-Nassr, ai ka kaluar në një pagë pak mbi 4 milionë euro në vit.
Në Francë, çështja është kthyer edhe në një debat politik. Ligji francez vendos një kufi prej 450 mijë eurosh në vit për pagat sportive, një shifër që nuk përputhet me mundësinë e emërimit të Zinedine Zidane si trajner i kombëtares. Federata Franceze po kërkon një përjashtim të veçantë nga shteti, pasi Zidane do të fitonte më shumë se paga prej 3.8 milionë eurosh që kishte Didier Deschamps.
Megjithatë, në futbollin e kombëtareve paratë nuk janë gjithmonë të barabarta me suksesin. Shembull është Paraguai, që paguan rreth 2.5 milionë euro në vit Gustavo Alfaron, por edhe Uruguai, i cili nuk arriti rezultate të mira me Marcelo Bielsa-n, pavarësisht një kontrate prej afro 4 milionë eurosh në sezon.
Në anën tjetër, dy trajnerët që kanë arritur majat e futbollit botëror përfitojnë shifra shumë më të moderuara. Lionel Scaloni, kampion bote me Argjentinën, paguhet rreth 2.3 milionë euro në vit, ndërsa Luis de la Fuente, trajneri i Spanjës, rreth 2 milionë euro.
Megjithatë, t’i marrësh këto raste si model për Italinë nuk është e thjeshtë. Rrugëtimi i Argjentinës dhe Spanjës është ndërtuar mbi baza shumë më të forta, ndërsa FIGC po përballet me një situatë të vështirë pas tri mungesave radhazi në Kupën e Botës dhe kërkon një zgjidhje që të rikthejë kombëtaren italiane në elitën e futbollit botëror.