BE-ja gjobit Google-in me 890 milionë euro, arsyeja
Gjoba prej gjithsej 890 milionë eurosh është vendosur nga BE pasi Google ka shkelur në disa raste rregullat digjitale të Bashkimit Evropian. Pika e parë kritike e BE: Për shkelje të rregullave digjitale të BE, kompania është gjobitur me 460 milionë euro. Sipas Komisionit Evropian, Google, si platformë dominuese në tregun online, ka detyrimin të mos favorizojë shërbimet e veta në dëm të atyre të ofruesve të tjerë. Megjithatë, sipas analizave të Komisionit, kompania e ka bërë vazhdimisht pikërisht këtë.
Një shembull konkret: gjatë kërkimeve për një ndeshje të Kampionatit Botëror, shpesh shfaqej fillimisht një kuti informative e licencuar nga Google me të dhëna rreth ndeshjes, ndërsa faqet e pavarura të internetit mbi të njëjtin eveniment sportiv renditeshin më poshtë në rezultatet e kërkimit. Kjo konsiderohet shkelje e rregullave digjitale evropiane, pasi sipas Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act – DMA), renditja e rezultateve të kërkimit duhet të bazohet në kritere transparente, të drejta dhe jodiskriminuese.
Google-i, nga ana tjetër, i paraqet më dukshëm në rezultatet e kërkimit përmbajtjet dhe shërbimet e veta të licencuara në fusha si sporti, programet e përkthimit apo shërbimet për kërkimin e hoteleve, restoranteve, fluturimeve dhe lidhjeve hekurudhore, në krahasim me ofertat e konkurrentëve. Kjo realizohet, për shembull, përmes paraqitjeve të përmirësuara vizualisht, filtrave shtesë ose duke i vendosur këto rezultate në krye të faqes së kërkimit. Sipas Komisionit Evropian, kjo u jep produkteve të Google-it një avantazh të padrejtë ndaj ofruesve të tjerë të shërbimeve.
Komisioni Evropian e akuzon gjigantin teknologjik se favorizon produktet e veta – Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas RegnierFotografi: Virginia Mayo/AP Photo/dpa/picture allianceGjoba e dytë
BE-ja sanksionon sjelljen e Google-it në Play Store me gjobë. Sipas Komisionit Evropian, kjo ka të bëjë me mënyrën se si Google operon në “App Store” paketa e aplikacioneve, Google Play Store. Sipas Komisionit, konsumatorët evropianë nuk informohen siç duhet se disa produkte apo funksione shtesë për lojërat e njohura online mund t’i blejnë shumë më lirë përmes platformave të tjera sesa në Play Store. Për këtë shkelje, Google është gjobitur me 430 milionë euro.
Sipas legjislacionit digjital të BE-së, zhvilluesit e aplikacioneve që i shpërndajnë produktet e tyre përmes Play Store duhet të kenë mundësinë t’i informojnë falas klientët për oferta alternative, shpesh më të lira. Ata duhet gjithashtu të lejohen t’i drejtojnë përdoruesit drejt këtyre ofertave, në mënyrë që blerjet të kryhen, për shembull, në faqe interneti ose në paketa të tjera aplikacionesh.
Megjithatë, sipas Komisionit Evropian, Google i pengon zhvilluesit e aplikacioneve të komunikojnë lirisht dhe të promovojnë këto oferta alternative, si edhe të lidhin kontrata me përdoruesit përmes kanaleve të shpërndarjes që zgjedhin vetë. Për më tepër, në disa raste Google vendos tarifa për këtë praktikë, të cilat, sipas Komisionit, janë shumë më të larta se sa lejohet nga Akti për Tregjet Digjitale