Botërori 2026, turneu më i shtrenjtë në histori: rekorde nga FIFA, por kostot bien mbi vendet organizatore

Kupa e Botës 2026 është bërë zyrtarisht turneu më i kushtueshëm në historinë e futbollit. Organizimi në SHBA, Kanada dhe Meksikë ka sjellë rritje rekord të shpenzimeve dhe të të ardhurave, ndërsa zgjerimi i formatit ka ndikuar ndjeshëm në buxhet.

Për ciklin 2023-2026, FIFA ka parashikuar shpenzime prej 12.9 miliardë dollarësh, nga të cilat rreth 3.75 miliardë janë vetëm për Botërorin. Kjo shifër është pothuajse dyfishi i kostos së Botërorit 2022 në Katar. Arsyeja kryesore është përmasat e reja të kompeticionit: 48 skuadra, 104 ndeshje, 16 qytete dhe tre vende organizatore.

Rritja më e madhe është në shpenzimet operative, që përfshijnë transportin, sigurinë, logjistikën, shërbimet për tifozët dhe ekipet. Gjithashtu janë rritur ndjeshëm shpërblimet për federatat dhe klubet. Fondi i përgjithshëm i turneut ka kaluar 1 miliard dollarë.

Nga ana tjetër, FIFA pret të realizojë të ardhura rekord. Organizmi ndërkombëtar parashikon afro 8.9 miliardë dollarë të ardhura vetëm nga Botërori 2026 dhe rreth 13 miliardë për të gjithë ciklin katërvjeçar. Burimet kryesore janë të drejtat televizive, sponsorët, reklamat dhe shitja e biletave.

Tregu amerikan ka luajtur një rol të madh në këtë rritje. Sponsorët nga SHBA përbëjnë tashmë pjesën më të madhe të marrëveshjeve komerciale, ndërsa çmimet e biletave kanë arritur nivele rekord. Për shembull, një biletë për finalen është shitur me çmime që kanë kaluar edhe 30 mijë dollarë në faza të caktuara.

Megjithatë, për vendet pritëse përfitimet nuk janë aq të drejtpërdrejta. FIFA mban të ardhurat kryesore nga televizioni, marketingu dhe biletat, ndërsa SHBA, Kanadaja dhe Meksika mbulojnë shpenzime për sigurinë, transportin dhe infrastrukturën.

Shtetet e Bashkuara kanë parashikuar qindra milionë dollarë për sigurinë dhe përmirësimin e transportit, ndërsa qytetet pritëse kanë shpenzime të veçanta. Kanadaja dhe Meksika gjithashtu kanë ndarë fonde të konsiderueshme për organizimin.

FIFA argumenton se Botërori do të sjellë miliarda dollarë ndikim ekonomik përmes turizmit, vendeve të punës dhe konsumit. Sipas parashikimeve, turneu mund të krijojë mbi 800 mijë vende pune në nivel global dhe të gjenerojë dhjetëra miliarda dollarë aktivitet ekonomik.

Megjithatë, disa ekonomistë janë skeptikë ndaj këtyre parashikimeve, duke theksuar se përfitimet shpesh mbivlerësohen dhe se një pjesë e kostove mbetet mbi taksapaguesit.

Botërori 2026 është kështu jo vetëm kompeticioni më i madh në histori për nga numri i skuadrave dhe ndeshjeve, por edhe shembulli më i qartë i fuqisë ekonomike të futbollit modern, ku FIFA siguron të ardhura rekord, ndërsa vendet organizatore përballen me sfidën për të justifikuar investimet e mëdha publike.