Përplasje te Kuvendi/ Goditën me vezë makinat e deputetëve, shoqërohen disa nga protestuesit

Protesta e zhvilluar para Parlamentit ka vijuar edhe pas përfundimit të seancës parlamentare, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar. Forca të shumta të Policisë së Shtetit vijojnë të jenë të vendosura në zonën përreth Kuvendit dhe në rrugët e Tiranës, ku raportohet për përplasje me protestuesit dhe shoqërime të disa personave.

Pas mbylljes së punimeve të Kuvendit, protestuesit kanë vijuar qëndrimin e tyre, ndërsa efektivët e policisë kanë ndërhyrë për shpërndarjen e turmës. Sipas raportimeve nga gazetari Fatjon Gjinaj, disa protestues janë arrestuar gjatë përplasjeve, ndërsa prania e shtuar e forcave të rendit ka vijuar në disa akse të kryeqytetit.

Ndërkohë Seanca plenare e Kuvendit e kësaj të enjteje, 23 korrik, u mbyll mes tensionesh të forta, debatesh dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës.
Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke penguar zhvillimin normal të diskutimeve. Për shkak të situatës, mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime, duke miratuar me procedurë të përshpejtuar të 31 çështjet e parashikuara.

Mes tyre ishin rezolutat për raportimet e institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, Avokatin e Popullit, KLP dhe KLGJ, disa projektligje e amendamente, si dhe emërime të anëtarëve të komisioneve të prokurimit.