Bruno Fernandes vendos të qëndrojë te Manchester United, pritet kontratë rekord
Bruno Fernandes ka vendosur ta vazhdojë karrierën te Manchester United, duke refuzuar përfundimisht mundësinë e largimit. Edhe pse rinovimi nuk është zyrtarizuar ende, mesfushori portugez pritet të firmosë shumë shpejt një kontratë të re me klubin anglez.
Sipas mediave britanike, negociatat mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të United janë në fazën përfundimtare. Marrëveshja e re do ta bëjë kapitenin portugez futbollistin më të paguar të skuadrës, me një pagë që pritet të arrijë rreth 400 mijë paundë në javë, ose afro 465 mijë euro.
Verën e kaluar, 31-vjeçari kishte marrë në konsideratë një transferim në Arabinë Saudite, i tunduar nga një ofertë shumë e majme financiare. Megjithatë, ai zgjodhi të qëndronte në “Old Trafford” për të parë nëse ambiciet e klubit përputheshin me të tijat, ndërsa para nisjes për Botërorin 2026 kishte shprehur dëshirën për të vazhduar me “Djajtë e Kuq”.
Një rol të rëndësishëm në këtë vendim ka luajtur trajneri Michael Carrick, i cili zëvendësoi Ruben Amorimin. Nën drejtimin e tij, Manchester United siguroi rikthimin në UEFA Champions League dhe po ndërton një skuadër me objektivin për të luftuar për titullin e Premier League.
Bruno Fernandes, i cili aktualisht po shijon pushimet pas pjesëmarrjes me Portugalinë në Botërorin 2026, pritet t'i bashkohet ekipit javën e ardhshme për fazën përgatitore. Pikërisht atëherë pritet të finalizohet edhe rinovimi i kontratës, duke konfirmuar qëndrimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Manchester United që prej transferimit të tij nga Sportingu në vitin 2020.