Balliu: ‘Policia e pushtetit’ dhunon qytetarët, Rama po përdor reformën territoriale për interesa elektorale
I ftuar në një lidhje Skype në edicionin e lajmeve të pasdites në Syri TV, deputeti i PD-së, Klevis Balliu, u shpreh se në Shqipëri nuk ka më "polici shteti", por "polici të pushtetit", e cila po ushtron dhunë ndaj qytetarëve dhe gazetarëve për të mbrojtur qeverinë.
Ai theksoi se arrestimet e protestuesve dhe gazetarëve janë të pajustifikueshme dhe kërkoi hetim për dhunën e ushtruar nga efektivët.
Balliu akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama se po e përdor reformën territoriale si instrument elektoral për të eliminuar bashkitë që, nuk i fiton dot në zgjedhje.
Deputeti i opozitës kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe bëri thirrje për bashkimin e opozitës kundër asaj që e cilësoi si "narkopushtet".
Pjesë nga intervista:
Së pari, aktet kriminale dhe banditeske të policisë së pushtetit, sepse këtu nuk ka më polici shteti.
Policia e pushtetit po ushtron dhunë ndaj qytetarëve dhe po kryen arrestime të shumta. Madje, nuk kanë kursyer as arrestimin e gazetarëve. Gazetarët e portalit Citizens.al janë arrestuar në format më të dhunshme dhe këto veprime janë totalisht të pajustifikueshme.
Praktikisht, qytetarët kanë hedhur vetëm disa vezë dhe më pas janë sulmuar me urdhër të pushtetarëve të korruptuar, të kapur tashmë gafil në sytë e gjithë botës me vjedhjet dhe aktet e tyre kriminale.
Përveç kësaj, ajo që qeveria po tenton të bëjë është ta kthejë reformën territoriale në një reformë tjetër elektorale, në interes të vet dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë, duke kërkuar të heqë edhe dhjetë bashki të tjera.
Gjatë gjithë këtyre viteve, qytetarët kanë parë se si reforma territoriale, e bërë shumë vite më parë, është vuajtur në kurrizin e tyre. Jo vetëm që nuk janë dëgjuar kritikat për rikthimin e bashkive dhe komunave që kanë ekzistuar dikur, por qeveria vazhdon edhe sot të heqë bashki të tjera, duke e bërë të pamundur ofrimin e shërbimeve për shumë qytetarë.
Sot heqin Prrenjasin dhe e bashkojnë me Librazhdin, ndonëse nuk kanë absolutisht asnjë lidhje. Duke qenë se jam edhe vetë nga ajo zonë, nga zona e Pogradecit, Prrenjasi gjithmonë është njohur si pjesë e Pogradecit dhe nuk ka lidhje me qarkun e Elbasanit.
Të gjitha këto akte lidhen me interesat e tyre elektorale. Kërkojnë të zhdukin Bashkinë e Klosit, kërkojnë të zhdukin Bashkinë e Memaliajt, sepse i shohin si bashki që nuk i fitojnë. Kërkojnë të godasin edhe në Tiranë në forma nga më të ndryshmet.
Në këtë aspekt, kanë kthyer një reformë që duhet të jetë në interes të qytetarëve në një reformë në funksion të interesit të tyre elektoral, sepse nuk u dalin llogaritë. E dinë fare mirë që qytetarët praktikisht nuk duan t'i shohin më me sy dhe, për këtë arsye, gjejnë artificie të tilla.
Për këtë arsye, sot erdhi vetë Edi Rama në Parlament, ndonëse nuk vjen për asnjë hall të qytetarëve; vjen vetëm për hallin e vet. Dhe, patjetër, ne ia dhamë reagimin tonë ashtu siç duhej. Një banditi që vjen në Parlament vetëm kur ka për të firmosur ndonjë ligj që mbush xhepat e vet ose i shërben interesit të pushtetit të tij.
E vërteta është se kjo është protesta më paqësore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Krahasojeni me protestat e tjera. Ndërkohë, dhuna që është ushtruar është ndër më të rëndat e parë ndonjëherë në Europë.
Nuk ekziston asnjë vend tjetër në botën demokratike dhe të lirë ku të merren zvarrë gazetarët dhe të arrestohen gazetarë. Nuk ekziston që të merren zvarrë njerëz të moshës së tretë. Ka video të publikuara në mes të qytetit, vetëm sepse dy deputetë kanë frikë nga vezët.
Po duan t'i gjuajnë deputetët me vezë, le t'i gjuajnë. Aty mund të ketë edhe nga ata që duan të më gjuajnë mua me vezë. Çfarë do të thotë kjo? Do t'i marrin zvarrë dhe do t'i fusin në burg? Çfarë koncepti është ky?
Deputetët janë aty për të dhënë llogari dhe për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. Ne kërkojmë që çështjet që ata kanë ngritur të vijnë në Parlament, të diskutohen dhe t'u japim zgjidhje.
Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe qytetarët të votojnë. Ata e dinë që nuk kanë më vota. Ata e dinë që njerëzit nuk duan t'i shohin më me sy dhe, për këtë arsye, krijojnë këto skena.
Madje, këto nuk janë thjesht skena politike; janë akte kriminale, për të cilat normalisht duhet të kishte hetim dhe përgjegjësit duhet të përfundonin në burg.
Edhe sot nuk ka asnjë përgjegjës për dhunën e ushtruar në protestën e fundit para Parlamentit, në lidhje me arrestimin, goditjen dhe dhunimin e Arben Lleshit brenda furgonit të policisë nga një person civil. Jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për këtë rast, por vazhdojnë të dhunojnë edhe të tjerë.
Kjo tregon se këtu nuk ka drejtësi. Çfarë do të bënim ne sot në Parlament? Çfarë do të raportonin prokurorët dhe gjyqtarët atje? Ku është drejtësia për qytetarët? Ka drejtësi vetëm për pushtetin. Po për qytetarët ku është?
Ne duhet të kthehemi në një shtet normal, në një shtet perëndimor, ku institucionet mbrojnë interesin e qytetarëve dhe interesin kombëtar. Interesi kombëtar është të mbrosh buxhetin e shtetit, të mbrosh kufijtë e vendit dhe të mbrosh qytetarët e tu.
Këtu mblidhen dhjetë mijë forca policie për të mbrojtur një hajdut si Edi Rama. Edhe nga kush? Kush po vinte aty, talebanët? Jo. Disa të rinj dhe të reja që kërkojnë të drejtat e tyre.
Ata kërkojnë të kenë mundësi të blejnë një shtëpi në Tiranë, ndërkohë që metri katror ka shkuar në pesë mijë euro, sepse Edi Rama, bashkë me Olsi Ramën, do të pastrojë paratë e drogës nëpër kulla.
Si të mos vijnë ata? Si të mos dalin në protestë njerëzit që nuk e gjejnë dot ilaçin në spital, ndërkohë që qeveria gjen kohë dhe para për t'i dhënë 4.2 milionë euro Kanye West-it? Çfarë t'u thuash atyre? Si të mos vijnë? Si të mos irritohen?
Dhe, në vend që t'u japin përgjigje, del Olta Xhaçka dhe i quan terroristë. Këta që janë narkoterroristë i quajnë qytetarët e ndershëm të këtij vendi terroristë.
Këtu ka nevojë për një bashkim mbarëkombëtar të çdo segmenti dhe çdo qelize opozitare, që të bashkohet kundër këtij narkopushteti dhe këtyre narkoterroristëve.