Protesta para Parlamentit/ Gazetarja Vjolanda Peca lirohet pas dy orësh në komisariat, AGSH ngre alarmin për lirinë e medias

Gazetarja Vjolanda Peca është liruar nga ambientet e Komisariatit nr. 1, pasi u shoqërua dhe u mbajt për më shumë se dy orë, ndërsa raportonte protestën e zhvilluar para Kuvendit. Ngjarja ka nxitur reagime të forta, duke u cilësuar si një shkelje e rëndë e lirisë së medias dhe e së drejtës së gazetarëve për të ushtruar profesionin.

Peca u shoqërua nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë mbulimit të protestës, ndërsa ishte në krye të detyrës. Shoqërimi i saj kundër vullnetit dhe mbajtja në komisariat u konsideruan të papranueshme, me argumentin se gazetarët kanë të drejtën kushtetuese të raportojnë ngjarjet me interes publik pa u penguar, intimiduar apo vënë nën presion.

Për ngjarjen reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili shprehu shqetësim për shoqërimin e gazetares dhe e cilësoi atë një ndërhyrje serioze në lirinë e medias. Organizata kërkoi që autoritetet të garantojnë ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit dhe të shmangin çdo pengesë apo presion gjatë raportimit të ngjarjeve me interes publik.

Pas më shumë se dy orësh në ambientet e komisariatit, gazetarja u lirua, ndërsa reagimet theksojnë se raste të tilla nuk duhet të përsëriten, pasi cenojnë lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t'u informuar.

Deklarata e plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për shoqërimin në Komisariatin nr. 1 të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca.
Shoqërimi i një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një ndërhyrje serioze në lirinë e medias dhe krijon një precedent të papranueshëm për raportimin e ngjarjeve me interes publik.

AGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit të lirojë menjëherë gazetaren nëse nuk ekziston një bazë ligjore e qartë për privimin e lirisë së saj, si edhe të garantojë që gazetarët të mund të ushtrojnë profesionin e tyre të lirë, pa intimidim, pengesa apo presion.