Arsenali humbet Saliban për disa muaj, mbrojtësi shmang operacionin

Arsenali ka marrë një lajm të keq në prag të sezonit të ri. Mbrojtësi francez William Saliba ka pësuar një dëmtim serioz në shpinë gjatë gjysmëfinales së Botërorit mes Francës dhe Spanjës.

Qendërmbrojtësi u detyrua të largohej nga fusha gjatë ndeshjes pasi ndjeu dhimbje të forta, ndërsa ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se ai do të mungojë për disa muaj.

Lajmi pozitiv për “Topçinjtë” është se, të paktën për momentin, ndërhyrja kirurgjikale nuk konsiderohet e nevojshme. Nëse do t’i nënshtrohej operacionit, Saliba rrezikonte të qëndronte jashtë fushave për 5 deri në 6 muaj.

Megjithatë, mungesa e gjatë e mbrojtësit ka shtyrë drejtuesit e Arsenalit të lëvizin në merkato. Sipas raportimeve, klubi londinez ka intensifikuar interesimin për Maxence Lacroix, i cili shihet si kandidati kryesor për të përforcuar repartin defensiv gjatë mungesës së Salibas.