Arsenali zyrtarizon goditjen në sulm, ‘ylli’ i Greqisë firmos me ‘Topçinjtë’
Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit grek, Christos Tzolis, nga Club Brugge. Futbollisti i lindur në vitin 2002 ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin londinez dhe i është bashkuar menjëherë skuadrës për fazën përgatitore.
Tzolis vjen pas dy sezonesh të shkëlqyera në Belgjikë, ku regjistroi 108 ndeshje, 43 gola dhe 45 asistime në të gjitha kompeticionet. Me Club Brugge ai fitoi Kupën e Belgjikës në vitin 2025, si dhe titullin kampion në sezonin 2025/26. Për më tepër, u shpall Lojtari më i Mirë i Pro League belge për dy sezone radhazi.
Karrierën e nisi te PAOK Selanik, ku debutoi me ekipin e parë në vitin 2020 dhe ndihmoi klubin të fitonte Kupën e Greqisë një sezon më pas. Në vitin 2021 u transferua te Norwich City, ku spikati që në debutim në Carabao Cup me dy gola dhe dy asistime ndaj Bournemouthit. Më pas luajti në formë huazimi te Twente dhe Fortuna Dyseldorf, përpara se të transferohej përfundimisht te Club Brugge.
Në nivel ndërkombëtar, Tzolis ka kaluar të gjitha ekipet zinxhir të Greqisë, ndërsa debutoi me kombëtaren A në tetor të vitit 2020. Deri më tani ai numëron 34 paraqitje me fanellën e Greqisë. Me këtë transferim, Arsenali shton një tjetër armë cilësore në repartin ofensiv për sezonin e ri.