Ndryshimet klimatike rrisin rrezikun e mbytjes
Rreth 300 mijë njerëz mbyten çdo vit në mbarë botën dhe mbytja është një nga 10 shkaqet kryesore të vdekjes te fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç, njoftoi të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Më 25 korrik shënohet Dita Botërore për Parandalimin e Mbytjes, e cila në shumë vende shfrytëzohet për organizimin e fushatave ndërgjegjësuese mbi rreziqet e mbytjes.
“Ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e mbytjes. Ngjarjet ekstreme të motit, si përmbytjet, stuhitë dhe valët e të nxehtit, po bëhen më të shpeshta, duke kontribuar në rritjen e rrezikut të mbytjes”, thuhet në planin e OBSH-së.
Ndër të tjera, OBSH rekomandon që shtetet anëtare të marrin masa për t’i bërë më të sigurta brigjet e lumenjve dhe plazhet, si dhe propozon mësime noti për fëmijët, si edhe kurse për shpëtimin e jetës për paramedikët dhe qytetarët e interesuar.
Strategjia e OBSH-së pranon se “vendet ndodhen në faza të ndryshme të përparimit”, prandaj paketa e masave synon të “përshtatet me kontekstet kombëtare dhe të përdoret krahas përpjekjeve ekzistuese në fushën e shëndetit publik, zhvillimit të qëndrueshëm, qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit ekonomik”.
OBSH thekson se sa më shumë të ngrohet planeti, aq më shpesh njerëzit hyjnë në ujë për t’u freskuar. Studimet në Mbretërinë e Bashkuar sugjerojnë se numri i personave që mbyten rritet me 7.2% për çdo gradë shtesë të temperaturës./DPA News