I kërkonte Spanja dhe Italia për trafik droge dhe organizatë, lihen 40 ditë në burg Avduli dhe Sadik Kasa

Elton Qyno - Syri.net/

Gjykata e Durrësit, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” me afat 40 ditor për Sadik Kasa, të riun e arrestuar pak ditë më parë nga policia e Durrësit, për shkak të një urdhri ndërkombëtar arresti që ishte lëshuar nga autoritetit e Drejtësisë Spanjolle.

Kasa, nga fshati Sukth i Durrësit, akuzohet nga prokuroria e Madritit, për “trafik droge” dhe pjesëmarrje në “Organizatë Kriminale”.

Ai u ndalua pak ditë më parë në Durrës, ndërsa tashmë Prokuroria e Përgjithshme ka filluar procedurat e ekstradimit të Sadik Kasa, në drejtim të Spanjës.

Të njëjtën masë sigurimi “Arrest me burg” me afat 40 ditor gjykata e Durrësit, vendosi dhe për të arrestuarin tjetër, Enkelet Avduli. Kjo kohë do shërbejë për sjelljen e letër porosisë nga Italia, me qëllim ekstradimin e tij në Bolonja të Italisë.

Mësohet se Enkelet Avduli, 46 vjeç, u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”.

Gjykata e Apelit e Bolonjës, Itali, e ka dënuar me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.