Arabia Saudite drejt njohjes së Izraelit? Trump i vendos kusht për…

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja historike bërthamore civile mes Uashingtonit dhe Arabisë Saudite do të varet nga vendimi i Riadit për t’iu bashkuar Marrëveshjeve të Abrahamit, që nënkupton njohjen zyrtare të shtetit të Izraelit.

“Marrëveshja Bërthamore Civile (pa pasurim materiali!)… e cila lidhet vetëm me përdorimin jo-ushtarak të energjisë bërthamore… do të miratohet, por ajo është plotësisht e varur nga bashkimi i Arabisë Saudite me Marrëveshjet shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Deklarata e presidentit amerikan vjen pas shqetësimeve të ngritura nga ekspertë të sigurisë, të cilët kanë paralajmëruar se një marrëveshje e tillë mund të krijojë rreziqe për përhapjen e teknologjisë bërthamore në një rajon të tensionuar.

Çështja e programit bërthamor ka qenë prej kohësh në qendër të përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, veçanërisht gjatë muajve të fundit, ku tensionet mes palëve janë rritur ndjeshëm.

Në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë, Trump ndërmjetësoi Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat çuan në normalizimin historik të marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe Bahreinit.

Pas kësaj, edhe Maroku dhe Sudani ndërmorën hapa për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Tani, Arabia Saudite mbetet një nga vendet kyçe që Uashingtoni synon ta afrojë me këtë proces.