Durrës/ Autor i dyshuar për 7 vjedhje gjatë korrikut, arrestohet 29-vjeçari
Një 29-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se është autor i shtatë rasteve të vjedhjeve dhe tentativave për vjedhje të kryera gjatë muajit korrik 2026.
Operacioni i koduar “Lately” ka çuar në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit Herkul Bibi, banues në Durrës, pas hetimeve të kryera për disa ngjarje të raportuara në zona të ndryshme të qytetit.
Sipas hetimeve, 29-vjeçari dyshohet se ka tentuar të vjedhë dy banesa në lagjen nr. 6 më 3 korrik, ndërsa më pas ka kryer disa vjedhje të tjera. Ai dyshohet se ka marrë materiale të ndryshme në lagjen nr. 17, ka thyer xhamin e një automjeti në zonën “Sektor Rinia” duke vjedhur bizhuteri dhe sende personale, si dhe ka grabitur para e produkte në një dyqan në Rrashbull.
Po ashtu, ai dyshohet se ka vjedhur vegla pune nga një automjet në lagjen nr. 17, një portofol të një shtetaseje të huaj në autobus dhe një biçikletë në lagjen nr. 1.
Materialet për rastin i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve.