Atentati ndaj Sigfrido Ranuccit: konfirmohet metoda mafioze, hija shqiptare e një hetimi që prek dosjet më të nxehta

Nga Alba Kepi

Vendimi i fundit i drejtësisë italiane ka hapur një fazë të re në hetimin për atentatin ndaj gazetarit të Rai 3 dhe drejtuesit të emisionit investigativ “Report”, Sigfrido Ranucci.

Gjykata e Romës ka konfirmuar masat ndaj të dyshuarve dhe ka zyrtarizuar agravimin e akuzës për veprim me metodë mafioze, një element që ndryshon ndjeshëm peshën e dosjes.

Nuk bëhet më fjalë vetëm për një kërcënim ndaj një gazetari, por për një akt që, sipas hipotezës së hetuesve, mund të ketë pasur karakterin e një intimidimi të organizuar, me qëllim krijimin e frikës dhe dërgimin e një mesazhi.

Pyetja qendrore e hetimit mbetet:

Kush e urdhëroi atentatin ndaj Sigfrido Ranuccit dhe cilat interesa qëndrojnë pas tij?

Nga autorët materialë te porositësi: hetimi shkon te rrjeti i marrëdhënieve

Hetimet

Pas arrestimeve të para, Prokuroria e Romës ka zhvendosur vëmendjen te hallka më e rëndësishme: identifikimi i porositësve.

Në këtë kuadër ka hyrë në qendër emri i Valter Lavitolës, biznesmenit italian me një histori të njohur marrëdhëniesh politike dhe ekonomike.

Sipas hipotezës së prokurorisë, Lavitola dyshohet për një rol të mundshëm në organizimin ose porositjen e atentatit. Hetuesit po analizojnë kontaktet, komunikimet dhe aktivitetet ekonomike që lidhen me të.

Pikërisht këtu nis edhe një nga fijet më të ndjeshme të hetimit: marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lidhjet që kalojnë përtej kufijve italianë.

Komisioni i Etikës në RAI: përplasja mes kontrollit institucional dhe gazetarisë investigative

Ndërsa drejtësia kërkon autorët dhe porositësit, në RAI është hapur një debat paralel.

Komisioni i Etikës i televizionit publik italian ka nisur verifikime mbi disa aspekte të punës së “Report”.

Vendimi ka shkaktuar reagime, pasi vjen në një moment kur drejtuesi i programit është viktimë e një atentati të cilësuar me karakteristika mafioze.

Në qendër të debatit është pyetja nëse gazetaria investigative, e cila prek interesa kriminale dhe politike, duhet të ketë një mbrojtje më të fortë institucionale apo t’i nënshtrohet të njëjtave kontrolle si çdo program tjetër.

Pista shqiptare: nga investigimet e Nello Trocchia-s te letra e ish-prokurorit shqiptar

Pista shqiptare hyri në vëmendjen e medias italiane jo si një përfundim i hetimit, por si një drejtim që kërkonte verifikim.

Ajo u lidh menjëherë me historikun e investigimeve të “Report” mbi krimin shqiptar dhe rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Një nga emrat që u shfaq në këtë debat ishte gazetari investigativ Nello Trocchia, autor i librit “Gli invincibili”, i cili prej vitesh ka hetuar botën e mafieve dhe lidhjet ndërkombëtare të krimit.

Në një intervistë për Syri TV më 25 shtator 2025, Trocchia foli për hetimet e tij mbi krimin shqiptar dhe për çështje që lidhen me figurën e Artur Shehut.

Ai foli edhe për episodin e një takimi në ishullin Aruba në vitin 2019, duke ngritur pyetje mbi disa marrëdhënie dhe kontakte që sipas tij kishin tërhequr vëmendjen e strukturave italiane.

Këto deklarata nuk lidhen drejtpërdrejt me atentatin ndaj Ranuccit, por u bënë pjesë e sfondit informativ që më pas u rikthye në debat pas publikimit të letrës së “Domani”.

24 tetor 2025: E përdishmja italiane “Domani” dhe letra e dërguar në Antimafian e Romës

Gazeta italiane “Domani”, publikon letrën e mbërritur në duart e hetuesve në një komunikim elektronik i dërguar nga një person që prezantohej si ish-prokuror shqiptar. Autori pretendonte se njihte mekanizma dhe persona të botës kriminale shqiptare dhe jepte një version të tij mbi autorët dhe porositësit e mundshëm të atentatit.

Sipas raportimeve, sinjali mbërriti rreth një ditë pas atentatit, i cili ndodhi më 16 tetor 2025, kur një mjet shpërthyes shkatërroi automjetin e Ranuccit dhe dëmtoi edhe makinën e vajzës së tij.

Në këtë letër pretendohej se atentati nuk ishte një akt i rastësishëm, por një mesazh ndaj gazetarëve investigativë italianë që kishin hetuar aktivitetet e një figure të botës kriminale shqiptare.

Emri që përsëritej në këtë pistë ishte ai i Artur Shehut, një sipërmarrës shqiptar me bazë në SHBA, të cilin letra e lidhte sipas pretendimeve të autorit anonim – me një strukturë kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Një element tjetër i përmendur në letër ishte lidhja që autori anonim bënte mes atentatit ndaj Ranuccit dhe një investigimi te gazetarit të Domani, Nello Trocchia, i cili kishte publikuar një libër mbi botën kriminale shqiptare dhe kishte trajtuar edhe çështje që lidhen me Artur Shehun. Sipas letrës, sulmi ndaj Ranuccit do të ishte një sinjal ndaj gjithë gazetarëve që hetojnë këtë ambient kriminal.

Ranucci dhe deklarata për Alba Kepin: “një shënim i strukturave antimafia”

Pas raportimit të “Domani”, vetë Sigfrido Ranucci foli publikisht për pistën shqiptare.

Në intervistën për Syri TV me gazetaren Alba Kepi, Ranucci tha se kishte dijeni për ekzistencën e një informacioni të lidhur me strukturat antimafia italiane dhe për një drejtim hetimor që prekte edhe botën kriminale shqiptare.

Gazetari u tregua i kujdesshëm: ai nuk tha se ishte provuar një përgjegjësi shqiptare, por foli për materiale që po analizoheshin.

Sipas tij, vetëm hetimi mund të përcaktojë nëse kjo pistë është reale apo një tentativë për të larguar vëmendjen nga drejtimi i vërtetë i atentatit.

“Il Fatto Quotidiano”, 8 korrik 2026: partneri shqiptar në rrethin ekonomik të Lavitolës

Një tjetër element që shtoi vëmendjen mbi rrethin e Valter Lavitolës erdhi nga “Il Fatto Quotidiano”, i cili më 8 korrik 2026 publikoi një investigim me titullin:

“Bomba contro Ranucci, gli strani soci del ristorante di Valter Lavitola (tra Abruzzo, Albania e Iran)”.

Gazeta analizoi strukturën ekonomike rreth aktivitetit të restorantit të Lavitolës në Romë dhe ngriti pikëpyetje mbi profilin e disa prej ortakëve dhe administratorëve që janë shfaqur ndër vite në shoqëritë e lidhura me aktivitetin.

Sipas “Il Fatto Quotidiano”, në këtë rrjet shoqërish shfaqej edhe një partner shqiptar, krahas një shtetasi me origjinë kurdo-iraniane dhe një të riu nga Teramo. Artikulli nënvizonte se gjatë pesë viteve në strukturën drejtuese të shoqërisë kishin pasur ndryshime të shumta në administratorë dhe këshilltarë.

Gazeta shkruante për një “jetë të re si restaurator” të Lavitolës, duke analizuar marrëdhëniet e tij ekonomike pas periudhës së mëparshme të përfshirjeve gjyqësore dhe politike. Në fokus ishin pikërisht lidhjet e biznesit dhe njerëzit që rrethonin aktivitetet e tij.

Ky element u bë pjesë e debatit mediatik sepse vinte në një moment kur emri i Lavitolës ishte futur në hetimin për atentatin ndaj Sigfrido Ranuccit.

Megjithatë, prania e një partneri shqiptar në një aktivitet ekonomik nuk përbën në vetvete provë për një lidhje me atentatin. Rëndësia e saj në hetim qëndron vetëm nëse autoritetet do të provojnë ndonjë lidhje konkrete mes këtyre marrëdhënieve ekonomike dhe ngjarjes kriminale.

Pse “Report” ka prekur kaq shumë Shqipërinë?

Pista shqiptare nuk mund të kuptohet pa parë historikun e investigimeve të emisionit “Report”.

Për vite me radhë, programi i Sigfrido Ranuccit ka trajtuar disa nga çështjet më të ndjeshme që lidhen me Shqipërinë.

Narkotrafiku dhe rrjetet kriminal “Report” ka hetuar zgjerimin e grupeve kriminale shqiptare në Itali dhe Evropë, duke analizuar rrugët e trafikut të drogës dhe lidhjet me organizata të tjera kriminale.

Një pjesë e investigimeve është fokusuar te lidhjet e mundshme mes rrjeteve shqiptare dhe organizatave kriminale jashtë Evropës, përfshirë edhe debatet mbi kontaktet me kartele latino-amerikane, ndkimin mbi pushtetin

Emisioni ka trajtuar përdorimin e sektorëve ekonomikë si ndërtimi, turizmi dhe investimet për qarkullimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë.

Një tjetër linjë ka qenë marrëdhënia mes pushtetit, biznesit dhe interesave ekonomike.

Edhe marrëveshja Itali–Shqipëri për menaxhimin e emigracionit është bërë pjesë e analizave dhe debateve publike.

Në historikun e “Report” janë trajtuar edhe çështje që prekin figura të rëndësishme italiane dhe marrëdhëniet me Ballkanin.

Emri i Massimo D’Alemës ish kryeministër e këshilltar i qeverisë Rama, është përfshirë në debate publike që lidhen me politikën, biznesin dhe interesat ekonomike në rajon.

Këto tema tregojnë natyrën e gazetarisë së Ranuccit e stafit të tij: jo vetëm kronikë kriminale, por hetim mbi mënyrën se si ndërthuren pushteti, ekonomia dhe ndikimet ndërkombëtare.

Vendimi i gjykatës së Romës për metodën mafioze e ka ngritur këtë dosje në një nivel tjetër.

Sot hetimi ka disa drejtime: autorët materialë; kërkimi i porositësit; figura e Lavitolës; letra e ish-prokurorit shqiptar; sinjalet antimafia; pista shqiptare; historiku i investigimeve të “Report”.

Por pyetja kryesore mbetet:

Kush vendosi të godiste Sigfrido Ranuccin dhe pse? Përgjigjja do të vijë vetëm nga provat e drejtësisë italiane.