'Ëndrra me sy hapur': kufiri mes zgjimit dhe gjumit është shumë më i paqartë nga sa mendoni

Kur të mbyllni sytë sonte për të fjetur, do t'ju ndodhë diçka e pazakontë: mendimet tuaja do të kalojnë gradualisht në ëndrra, por nuk do të mund ta dalloni momentin e saktë kur ndodh kjo. Zakonisht mendojmë se kufiri mes zgjimit dhe gjumit është i qartë, kur jemi zgjuar mendojmë, ndërsa kur flemë ëndërrojmë. Por një studim i botuar në Cell Reports tregon se ky kufi është shumë më i paqartë. Në fakt, njeriu mund të ëndërrojë ende pa rënë në gjumë dhe të vazhdojë të mendojë për punët e ditës edhe pasi ka fjetur.

Nga mendimet te ëndrrat

Kur jemi zgjuar, jemi të vetëdijshëm për botën përreth: dëgjojmë tingujt, shohim dritën dhe ndiejmë prekjen e rrobave në lëkurë. Gjatë gjumit, përkundrazi, shkëputemi nga mjedisi dhe përjetojmë botën e krijuar nga mendja jonë, ëndrrat.

Kalimi nga një gjendje në tjetrën nuk ndodh menjëherë. Aktiviteti i trurit ngadalësohet, muskujt relaksohen dhe frymëmarrja bëhet më e qetë. Ndërkohë mendja vazhdon të punojë, duke krijuar mendime për ditën që kaloi ose atë që na pret, kujtime, imazhe të shkurtra, copëza muzike dhe fragmente ëndrrash. Kjo gjendje quhet hipnagogji, një fazë mes zgjimit dhe gjumit.

Çfarë zbuluan studiuesit?

Për të kuptuar më mirë këtë proces, studiuesit monitoruan aktivitetin e trurit të 103 personave gjatë një dremitjeje në laborator me anë të elektroencefalografisë (EEG). Në momente të ndryshme ata zgjonin pjesëmarrësit dhe i pyesnin: "Për çfarë po mendonit pak para alarmit?"

Në total u mblodhën 375 përshkrime. Në vend që studiuesit t'i klasifikonin vetë si mendime ose ëndrra, përdorën inteligjencën artificiale për t'i grupuar sipas ngjashmërisë.

Rezultatet treguan katër lloje kryesore përvojash mendore: kujtime të shkurtra, mendime për mjedisin përreth, imazhe të ngjashme me ëndrrat dhe mendime të vetëdijshme për planet e së nesërmes.

Ëndrra gjatë zgjimit, mendime gjatë gjumit

Zbulimi më interesant ishte se të katër këto lloje përvojash u shfaqën si te njerëzit zgjuar, ashtu edhe gjatë fazave të ndryshme të gjumit.

Për shembull, një pjesëmarrës që sipas EEG-së ishte plotësisht zgjuar tha se kishte parë "milingona që ngjiteshin mbi të, ndërsa në sfond kishte fjalëkryqe". Ndërkohë, një tjetër pjesëmarrës që ishte në gjumë të lehtë raportoi thjesht: "Po mendoja për punën."

Kjo tregon se truri mund të krijojë përvoja të ngjashme me ëndrrat edhe gjatë zgjimit, ndërsa mendimet logjike mund të vazhdojnë edhe pasi kemi fjetur.

Analizat treguan gjithashtu se gjatë përvojave të ngjashme me ëndrrat komunikimi mes zonave të ndryshme të trurit dobësohet. Më e habitshmja është se ky model ishte i njëjtë, pavarësisht nëse personi ishte zgjuar apo në gjumë.

Ç'do të thotë kjo?

Studiuesit besojnë se faza e kalimit drejt gjumit mund të zbulojë shumë për mënyrën se si funksionon truri. Për këtë arsye ata kanë krijuar një pyetësor ndërkombëtar për të studiuar përvojat e njerëzve gjatë kësaj periudhe dhe për të parë nëse ato lidhen me moshën, gjininë, kulturën, kreativitetin, ankthin apo cilësinë e gjumit.

Pra, herën tjetër kur të shtriheni për të fjetur, kushtojini vëmendje mendimeve që kalojnë nëpër mendjen tuaj. Mund të zbuloni se ëndrra ka nisur shumë më herët nga sa e kishit imagjinuar. /Zme Science – Syri.net