Bilanci i frikshëm i dhunës policore, spitalet mbushen me të lënduar nga gazi lotsjellës dhe uji me ngjyrë e piper

Tensionet e forta jashtë ambienteve të parlamentit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, duke lënë pas një bilanc me 17 persona të lënduar. Gjatë protestës së qytetarëve, të cilët prej 54 ditësh kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Rama.

Përplasjet mes protestuesve dhe kordonit policor sollën përdorimin e mjeteve shpërndarëse nga ana e autoriteteve. Raportohet për një përdorim të tepruar të gazit lotsjellës, autoboteve me ujë me ngjyrë dhe sprajtit me piper, të cilat u hodhën drejtpërdrejt në fytyrat e protestuesve. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, nga 17 të lënduarit, 6 janë efektivë policie dhe 11 janë qytetarë.

Të lënduarit u shpërndanë në dy qendra spitalore. Në Spitalin Universitar të Traumës u trajtuan 6 policë dhe 1 protestues me lëndime të lehta fizike, të cilët tashmë kanë lënë ambientet e spitalit. Ndërkohë, situata paraqitej më delikate në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT), ku u dërguan 10 persona. Prej tyre, tre qytetarë përfunduan në pavijonin e toksikologjisë për shkak të problemeve të rënda me frymëmarrjen, ndërsa katër të tjerë po mbahen nën vëzhgim në urgjencë.

Sipas gazetares së Syri tv Fjona Çela, dëmet më të mëdha shëndetësore nuk kanë ardhur nga goditjet fizike, por nga ekspozimi ndaj lëndëve kimike. Qytetarët kanë shfaqur djegie të rënda në lëkurë, djegie të syve dhe asfiksi. Kjo situatë u rëndua edhe më shumë nga temperaturat e larta dhe prania në turmë e grupmoshave të ndjeshme, si fëmijët dhe të moshuarit, të cilët e kanë përjetuar mjaft keq ndërhyrjen. Përveç protestuesve, të prekur nga lëndët kimike kanë qenë edhe kalimtarë të rastit si dhe punonjës të medias që po mbulonin ngjarjen.

Fjona Çela: Në fakt tensionet kanë shoqëruar jo vetëm seancën plenare të mbajtur përgjatë ditës së sotme, por gjithashtu tensione të shumta ka pasur edhe jashtë parlamentit, ku një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë mbledhur për të protestuar, me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë, siç po bëjnë tashmë prej më shumë se 54 ditësh. Janë duke protestuar në mënyrë të përditshme. Ndërkohë, sa herë ka pasur seanca plenare, të paktën përgjatë muajit të fundit, protestuesit kanë qenë aty për të protestuar përpara parlamentit. Sot në fakt pritej që të mbahej edhe seanca e fundit plenare, dhe një numër i madh qytetarësh u grumbulluan përpara parlamentit për të protestuar. Por, njëkohësisht, masat kanë qenë të shtuara, si nga ana e efektivëve të policisë, por edhe gjithashtu të perimetrit të sigurisë të vendosur në zonë. Thuajse i gjithë parlamenti ishte i blinduar me gardhe metalike dhe po ashtu me efektivë të shumtë policie, përfshirë këtu jo vetëm uniformat blu, por edhe forcat Shqiponja, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, por gjithashtu dhe policë jo vetëm të Tiranës, por edhe të rretheve të cilët ishin të pranishëm. Në fakt, kordoni policor, por gjithashtu dhe gardhi metalik, ka rrethuar të gjithë zonën, jo vetëm pranë parlamentit, por edhe pak më larg tij. Ne ishim të vendosur pak minuta më parë pikërisht në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, pranë xhamisë së Namazgjasë, që aty është vendosur gardhi metalik dhe efektivët e policisë, duke u bllokuar kështu qarkullimi, por edhe protestuesit. Kjo në fakt ka pasur edhe tensione të shumta nga ana e protestuesve dhe si pasojë e këtyre tensioneve ka pasur edhe të lënduar.

Mes të lënduarve, është raportuar pikërisht për 17 persona të cilët kanë mbetur të lënduar si pasojë e tensioneve dhe përplasjeve që kanë ndodhur mes protestuesve dhe policisë, por kjo e fundit ka përdorur gjithashtu edhe lëndë të tilla si gazi helmues apo autobotet me ujë, ku ka qenë një ujë me ngjyrë që u ka shkaktuar dëme të shumta shëndetësore protestuesve. Në fakt, sipas raportimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, 17 persona kanë mbetur të lënduar, mes të cilëve gjashtë efektivë policie dhe pjesa tjetër qytetarë. Për sa i përket dërgimit të tyre në strukturat spitalore të vendit tonë, konkretisht në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza janë dërguar 10 persona për të marrë trajtimin mjekësor, ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës, shtatë persona. Në spitalin e Traumës në fakt, mësohet se gjashtë efektivë policie janë dërguar për të marrë trajtim mjekësor dhe një protestues, por pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar, pasi fatmirësisht kanë qenë jashtë rrezikut për jetën dhe me lëndime të lehta. Dhe personat në fakt që ndodhen në QSUT, kanë paraqitur probleme disi më të rënda shëndetësore dhe tre prej tyre kanë qenë në gjendje më të lehtë, menjëherë pasi kanë marrë trajtimin janë larguar nga ambientet e spitalit, ndërkohë që katër të tjerë kanë vazhduar që të qëndrojnë pranë ambienteve të urgjencës ku stafi mjekësor ka qenë i gatshëm për t'i dhënë ndihmën që u nevojitej, pra ndihmën mjekësore, ndërsa tre të tjerë janë dërguar tek toksikologjia.

Tre persona janë dërguar tek toksikologjia. Pra kanë pasur dëmtime më të rënda me frymëmarrjen, të cilat janë shkaktuar si pasojë e përdorimit të tepruar të gazit lotsjellës, por gjithashtu edhe sprajt me piper që është hedhur në drejtim të protestuesve. Dhe tre prej tyre janë dërguar tek departamenti i toksikologjisë, dhe katër të tjerë më pas në urgjencë, që kanë pasur dëmtime më të rënda si pasojë e përdorimit të këtyre lëndëve pra që është hedhur nga ana e policisë. Ndërsa tre të tjerë, sikurse e përmenda, kanë qenë me dëmtime më të lehta dhe pasi kanë marrë trajtimin mjekësor janë larguar nga ambientet e spitalit. Ndërkohë, siç e dimë, në spitalin e Traumës dërgohen ata të cilët kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike, siç kanë qenë goditja apo dëmtime në gjymtyrë të ndryshme të trupit. Por fatmirësisht, 17 personat që janë dërguar në strukturat spitalore të vendit tonë, qoftë në Spitalin Universitar të Traumës por edhe në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, raportohet të jenë jashtë rrezikut për jetën dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre, pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, kanë paraqitur një gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe për këtë arsye kanë lënë edhe ambientet e spitalit.