Leskaj në Kuvend: Këtij parlamenti i ka ardhur fundi, duhen zgjedhje të reja me qeveri tranzitore

Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leksaj bëri thirrje për të dëgjuar zërin e protestuesve. Këtij parlamenti i ka ardhur fundi dhe se duhet të nisin përgatitjet për zgjedhje të reja me qeveri tranzitore.

Deklarata në Kuvend e Bujar Leskajt

Sot eshte dita e 54 që protestuesit janë në rrugë e sheshe. Në një protestë të drejtë e paqësore. Nëse ne si deputetë e parlamenti do mbrohemi nga policia me gaz lotsjellës dhe instrumente të tjera policeske, a e kuptojmë ne që si ligjvënës jemi të dështuar. Kjo legjislaturë që ne kemi ndërtuar është e dështuar. Nëse qytetarët na shikojnë jo si përfaqësues të tyre, por na shikojnë si armiq e si kundërshtar, a nuk mendoni se ne duhet të reflektojmë gjithsecili dhe si grupe parlamentare.   

Në këto raste gjithë bota demokratike reflekton, dhe reflektimi është votëbesimi. Votëbesimi që kërkon çdo deputet, që kërkon çdo grup parlamentar, çdo institucion, në rastin konkret Kuvendi.

Pra, të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë, duhet të kuptojmë që këtij parlamenti i ka ardhur fundi. I ka ardhur fundi dhe detyra jonë si shtetarë, detyra jonë si përfaqësues të popullit është që të përgatisim kushtet, të përgatisim kushtet për zgjedhjet e reja parlamentare. Zgjedhje të cilat do na kalojnë në sitë të gjithë. Dhe për këtë gjë ne duhet të plotësojmë dy kërkesat e opozitës, dy kërkesat më urgjente.

Së pari, të hartojmë Kodin e ri Zgjedhor, të ndërtojmë një sistem të ri zgjedhor sipas kërkesave që shtron koha. Dhe së dyti, ky sistem zgjedhor, zgjedhjet e parakohshme, ne t'i organizojmë me një qeveri tranzitore, qeveri kujdestare, qeveri të cilës ju mund t'ia vendosni emrin si të doni, por ama nuk mund të shkojmë, nuk mund të shkojmë me sektin Rama, me Ramën si kryeministër në zgjedhje.

 Të dashur deputetë, në këto raste, në këto raste njeriu vë në balancë ndërgjegjen, vë karakterin, vë karrierën e tij për sot dhe për nesër. Dua t'ju kujtoj që dhe në vitet '90, në dhjetor '90, tetor '90, në Partinë Socialiste kishte njerëz me integritet si skulptori i shquar Mumtaz Dhrami, profesor Petrit Gaçe, inxhinieri i shquar Ismail Ahmeti, që kërkuan t'u hapej rrugë protestave studentore. Dhe tani është e njëjta gjë. Duhet të kuptoni që janë tre faktorë, është PS-ja, PD-ja dhe më i rëndi, që ka dhe peshën e rëndesës më të madhe, është protesta. Është protesta me institucionet që ajo krijon. Po ju përcjell një thënie të një studiuesi, politologut Francis Fukuyama, në librin e tij 'Ndërtimi i Shtetit', fjalinë e parë ka: Ndërtimi i shtetit është forcimi i institucioneve ekzistuese dhe krijimi i atyre institucioneve të reja. Protesta po lind, po krijon dhe po forcon institucione të reja. Të dëgjojmë zërin e tyre, të zbatojmë zërin e tyre.