Raphinha refuzon milionat nga Arabia Saudite, qëndron te Barcelona

Raphinha ka vendosur të qëndrojë te Barcelona, duke refuzuar një ofertë shumë të majme nga Al Hilal, që synonte ta transferonte në Arabinë Saudite gjatë kësaj vere.

Sipas Sport, klubi saudit kishte përgatitur një paketë financiare të rëndësishme si për Barcelonën, ashtu edhe për sulmuesin brazilian, duke i ofruar këtij të fundit një pagë dukshëm më të lartë se ajo që përfiton aktualisht në La Liga.

Megjithatë, 29-vjeçari nuk pranoi të largohej nga "Camp Nou", pasi dëshiron të vazhdojë karrierën nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Pas refuzimit të brazilianit, Al Hilal ka ndryshuar menjëherë objektivin dhe është pranë transferimit të anësorit holandez Crysencio Summerville nga West Ham.

Marrëveshja pritet të arrijë në 55 milionë euro, plus edhe 10 milionë euro bonuse, për një total prej 65 milionë eurosh.

Me afrimin e Summerville, klubi saudit konsiderohet se ka plotësuar nevojën për një sulmues krahu, duke i dhënë fund interesimit për Raphinhan në këtë merkato.

Braziliani mbetet i përkushtuar ndaj Barcelonës, me të cilën ka kontratë deri në qershor të vitit 2028.

Ai rinovoi marrëveshjen në maj të vitit 2025 dhe beson se do të ketë një rol të rëndësishëm në projektin e Hansi Flick.

Edhe drejtuesit katalanas nuk kanë ndërmend ta nxjerrin në shitje lojtarin, ndërsa çdo largim do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e vetë futbollistit.

Pas një sezoni të vështirë për shkak të dëmtimeve, Raphinha synon të rikthehet në formën më të mirë dhe të jetë një nga protagonistët e Barcelonës në sezonin e ri.