Ndërkombëtarët po monitorojnë lëvizjet e parave të kryeministrit, Vokshi: Rama po pengon integrimin evropian
Gjatë fjalës së saj në foltore, deputetja e opozitës Albana Vokshi ka ngritur pretendime tronditëse lidhur me ndërhyrjet ndërkombëtare mbi pasuritë qeveritare dhe dhunën ndaj protestuesve jashtë godinës.
Sipas raportimeve nga salla, deputetja deklaroi se institucionet evropiane kanë dërguar mesazhe të prera se cenimi i zgjedhjeve do të ndalojë procesin e integrimit të vendit. Ajo pretendoi se ndërkombëtarët kanë ngritur alarmin dhe po monitorojnë lëvizjet e parave dhe aseteve të kryeministrit dhe familjarëve të tij, një akuzë për të cilën ajo kërkoi llogari të drejtpërdrejtë.
Përfaqësuesja e opozitës theksoi se po merrte mesazhe të vazhdueshme nga protestuesit jashtë, të cilët denonconin se ishin sulmuar me një lëndë të panjohur blu. Sipas saj, kjo substancë po shkakton djegie të ngjashme me ato të acidit në lëkurën e qytetarëve, duke i kërkuar drejtuesit të seancës që të pezullonte punimet në mënyrë që t'u vihej në ndihmë atyre. Ajo refuzoi kategorikisht që protestuesit të etiketoheshin si "terroristë", duke i cilësuar ata si të rinj të talentuar që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në atdheun e tyre.
Në përfundim, fjalimi i saj u ndal edhe te votimi për komisionin e reformës zgjedhore, veprim të cilin ajo e cilësoi si varrosje të zgjedhjeve të lira në vend. Fjala u mbyll me theksimin se me mazhorancën aktuale nuk mund të ketë as konsensus dhe as zgjedhje të ndershme, duke i akuzuar për tradhti ndaj çdo marrëveshjeje politike.
Albana Vokshi: …Për Edi Ramën. E para i ka thënë mos guxoni të prekni zgjedhjet sepse po ju vëzhgojmë. Nëse zgjedhjet preken dhe nuk janë demokratike, atëherë ka thënë Shqipëria nuk mund të futet në familjen europiane. I ka çuar mesazh të drejtpërdrejtë duke vënë gishtin: kush është ai që po pengon integrimin europian? Edi Rama. Jo vetëm kaq. Po ai ka dhënë alarmin, ka thënë: "Po monitorojmë lëvizjet e parave dhe të aseteve të Edi Ramës dhe të familjarëve të Edi Ramës". Ku është Edi Rama sot, duhet të ishte këtu që të jepte llogari? Ka heshtur, nuk ka dhënë asnjë prononcim publik, asnjë sqarim publik për këtë akuzë që nuk vjen nga opozita. Vjen nga zemra e institucioneve europiane. Së dyti, ka marrë mesazhe nga protestuesit të cilët thonë: "Na mbytën! Na mbytën këtu jashtë!". Kanë hedhur një lëndë blu që i ka bërë me djegie shumë të këqija në lëkurë. Nuk kam ËhatsApp që të të dërgoj videot dhe fotot, janë të tmerrshme.
Eshtë djegie nga acidi, nuk janë si ajo roza me piper që na kanë hedhur zakonisht. Ndaj unë propozoj këtu të bëni pushim, të mbyllet seanca dhe siç jemi të gjithë këtu të shkojmë, t'i dëgjojmë çfarë problemesh kanë protestuesit. Nuk janë terroristë ato ashtu sikurse i quani juve. Jo! Dhe për atë fjalë, zoti kryetar, ju duhet ta kishit përjashtuar, se ai nuk ka folur si individ, ka folur si kryetari i grupit parlamentar. Nëse ju nuk distancoheni, nëse nuk e përjashtoni, atëherë kjo do të thotë që juve mendoni që protestuesit janë terroristë. Do ishte në nderin tuaj ai të ishte përjashtuar dhe ju të ishit distancuar. Janë djem të shkëlqyer, janë vajza të talentuara, janë të rinj që kërkojnë ta ngrejnë të ardhmen këtu dhe jo jashtë, ato që protestojnë. Dhe e fundit, e treta për procedurë. Sot me vendimin për rrëzimin e shtyrjes së Komisionit të Reformës, keni varrosur jo reformën territoriale, keni varrosur zgjedhjet në Shqipëri. Me këtë vendim ju doni t'i merrni zgjedhjet në tavolinë.
I keni varrosur zgjedhjet. Konsensus me Edi Ramën. Pse? Sepse ai gjithmonë ka tradhtuar. Ka tradhtuar çdo tryezë, ka tradhtuar çdo konsensus. Nuk ka me Edi Ramën as konsensus, as zgjedhje të lira dhe të ndershme.