'Territorialja' po bëhet njëanshmërisht'/ Boçi: Mazhoranca po sjell një reformë të parapërgatitur

Deputeti demokrat dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, kundërshtoi mënyrën se si mazhoranca po procedon me reformën territoriale, duke deklaruar se dokumenti që pritet të shkojë në Kuvend nuk është produkt i komisionit.

Në një komunikim me gazetarët, Boçi tha se komisioni nuk ka përfunduar punën dhe se raporti është një dokument politik i përgatitur nga mazhoranca.

“Ky është një dokument politik, nuk është dokument i prodhuar nga komisioni. Në seancë duhet të vijë një produkt i komisionit, por komisioni nuk ka një raport”, deklaroi ai.

Boçi akuzoi socialistët se po anashkalojnë procedurat parlamentare dhe po tentojnë të miratojnë një reformë pa konsensus.

Sipas tij, procesi duhej të vijonte me dëgjesa me qytetarët, bashkitë dhe ekspertët, ndërsa paralajmëroi se reforma e re rrezikon të përsërisë pasojat e reformës së vitit 2014.

“Jemi larg qëllimit për të cilin u krijua komisioni, që ishte konsensusi politik. Kemi përballë një veprim të njëanshëm politik të parapërgatitur”, tha Boçi.

Ai hodhi poshtë edhe mundësinë që një draft i ri të paraqitet nga deputetët, duke theksuar se kjo nuk mund të zëvendësojë punën e një komisioni të posaçëm të ngritur nga Kuvendi.

Boçi:

Në fakt ai është një dokument politik, nuk është dokument i prodhuar nga komisioni. Në seancë duhet të vijë domosdoshmërisht një produkt i komisionit. Komisioni në mbledhjen e fundit të tij të datës 15, ka pasur një debat për rendin e ditës, nuk është pranuar rendi i ditës. Komisioni është në paritet, është votuar kundër në të dyja rastet nga secila palë, dhe ai ka pushuar së funksionuari në këtë lloj seance, pa hyrë në atë axhendën e tij, në projektkalendarin e tij të miratuar, që në shkurt, me konsensus dhe dakordësi nga të dyja palët, dhe madje erdhi si projektkalendar i propozuar nga vetë zoti Mazniku. Dhe pjesa tjetër që është antiparlamentare dhe antiligjore është mënyra se si Kuvendi pranon një produkt partiak. Vetëm produktet e seancës së komisionit shkojnë në seancë.

Kjo është rregullorja e Kuvendit, kjo është Kushtetuta. Madje do bëja një krahasim, edhe në kioskën më të humbur të vendit nuk hyn malli pa faturë, pa një relacion të firmosur nga kryetari i komisionit, në rastin tonë nga bashkëkryetarët e komisionit, dhe nuk mund të shkojë asnjë përfundim pa iu nënshtruar një procedure të rregullt, dorëzimi, debatimi, shqyrtimi në komision dhe në fund fare votimi. Qoftë edhe kundër, në qoftë se do ishin të diskutuar raportet apo raporti i përkatësisë. Jemi shumë larg nga ai qëllimi për të cilin u krijua komisioni, gjëja për konsensus politik, për të realizuar një reformë territoriale të kërkuar edhe nga politika, të kërkuar sidomos nga publiku, por të kërkuar dhe nga ndërkombëtarët.

Pra jemi totalisht në një veprim të njëanshëm politik të parapërgatitur. Unë e kam paralajmëruar në fakt në të gjitha takimet që kam pasur në nivel ndërkombëtar por edhe në daljet e mia mediatike kam thënë që shoh me keqardhje që nuk duan të shkojnë në konsensus. Kanë një projekt të tyre, për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të çeduar në atë që sot ka dalë në pah në shërbimin ndaj qytetarëve, për të vazhduar shpopullimin, për të mos t'i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor, thjesht për të realizuar një qëllim politik sikurse u bë në 2014-ën, reformë e cila solli si pasojë të shndërrimit të bashkive në magazina vote. Tani këto magazinat që disa janë të vogla duan t'i bëjnë më të mëdhaja në hapësirë dhe kontrolli politik të jetë më rigjid. Ajo që duhet të ndodhte ishte zbatimi i projektkalendarit. Ju e keni parë, i keni transmetuar, ne kemi qenë në fazën e dëgjesave.

Dëgjesa të mirëpritura nga publiku, ka pasur shumë debate dhe ishim në fazën dhe në momentin e dëgjesës së Tiranës, që është një e treta e popullsisë, dhe Tirana realizon 50% të shpenzimeve që kanë në paketën e tij pushteti vendor. Kjo dëgjesë nuk është bërë. Është shtyrë, ndërkohë dhe dëgjesat me kryetarët e bashkive me tetë kryetarë nuk është realizuar, sepse disa prej tyre nuk kanë ardhur në komision, arsyet objektive-subjektive i sqarojnë ato, dhe më pas duhet të vazhdonim me dëgjesat sipas shtyllave, territori, qeverisja, dhe sigurisht edhe pjesa e ndarjes së kompetencave dhe e financave, dhe shtylla e financave. Do vazhdohej me dëgjesa me grupet e interesit, me shoqatat e bashkive, se është e domosdoshme që të merret një opinion i tillë. Do vazhdohej me dëgjesat e kërkuara nga vetë komunitetet. Ndërkohë që në të gjithë këtë proces nga ne është kërkuar një mbikëqyrës, përfaqësues të Kongresit të Autoriteteve Vendore. Të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre në raport me reformën e 2015-ës, pasojat e saj, dhe në raport me parapërgatitjen për reformën e 2026-ës, me frikën që kjo do përfundojë si 2014-a.

Po, e ka pranuar, madje ka pranuar edhe ekspertizën e BE-së që ne nuk e kemi shqyrtuar në komision, dhe ekspertizën e projektit zviceran, të ardhur nga bashkitë e forta, që nuk e kemi shqyrtuar në komision, dhe shumë ekspertiza të tjera të ISP-së apo të organizatave të ndryshme të interesuara, edhe për të ardhur në komision, për të parashtruar pretendimet e tyre për reformën. Me qëllim që ne të kishim një panoramë shumë të gjerë. Madje, meqenëse përmendet ndërkombëtarët, mos të harrojmë që në rezolutën e vet, Parlamenti Europian e përshëndeti ngritjen e komisionit, konsensusin, kërkoi që të vazhdohej, mos të ndërpritej pa një arsye komisioni, edhe arsye kohore, se koha është thjesht një arsye dytësore sepse qëllimi është tek tematika dhe projektkalendari i tij. Dhe nxiste që palët të dilnin në një përfundim të përbashkët. Gjë që është larg çdo pritshmërie nga mënyra se si sillen.

Dhe madje, doja të shtoja këtë, e kam thënë kudo dhe s'kam marrë asnjë përgjigje dhe në ndaljet e tjera... Unë me zotin Mazniku, si bashkëkryetar, kemi qenë në takime të vazhdueshme, në kontakte me përfaqësuesit ndërkombëtarë të interesuar për reformën, dhe në takimin e fundit, dhe me përfaqësuesin e BE-së zotin Rizo, dhe me përfaqësuesen, zonjën ambasadore të Ambasadës së Zvicrës, qartazi është artikuluar nga zoti Mazniku që ne do shtyjmë afatin e këtij komisioni sepse normalisht projektkalendari nuk është i plotësuar dhe nuk ka një raport. Një raport që nuk është prodhuar. Pretendohet që është bërë nga ekspertët. Pretendohet që janë ekspertë të majtë, ekspertët nuk janë mbledhur asnjëherë të diskutojnë në raport me shtyllat, në raport me përfundimet, në raport me kriteret, parimet, që duhet të dalin nga vlerësimi i 2014-2015. Raporti i vlerësimit në fakt përcaktonte qartazi atë çfarë kishte ndodhur me pushtetin vendor dhe duhet të përcaktonte parimet, kriteret, metodologjinë, si do bëhej reforma e 2026-ës. Tani këto na vijnë duke kapërcyer të gjithë këto faza, duke i djegur, na vijnë në një raport që e quajnë final. Mund të quhet final, por është raport politik. Komisioni nuk ka raport. Seanca Kuvendit s'duhet ta pranojë. S'duhet ta pranojë, mos duhet ta pranojë.

Gazetari: Sipas zotit Balla, ky propozim do të vijë si propozim i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ai tha që deputetët, përtej grupeve parlamentare, kanë të drejtën të sjellin propozimet e tyre. A do ta shfrytëzoni dhe ju këtë mekanizëm, nëse e quani të vlefshëm, për të prezantuar një draft tuajin nëse e keni?

Boçi: Jo. Jo nuk mundet. Kjo nuk është një e drejtë që duhet të kapërcejë një të drejtë tjetër. E drejta e deputetëve për të sjellë nisma ligjore po, patjetër ekziston. Por jo të dublojë apo të zëvendësojë punën kolegjiale të një komisioni të posaçëm që është ngritur me vendim të Kuvendit. Të kapërcejë vetëveten apo një deputet të kapërcejë vendimet e Kuvendit të Shqipërisë, duhet t'i nënshtrohet atyre vendimeve. Dhe nuk ka asnjë arsyetim ligjor, rregullore apo kushtetues, që të vijë një propozim i deputetëve. Është dokument politik,