Boçi në Kuvend kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Territoriale: Ka përfunduar koha, por jo puna
Deputeti demokrat njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale Luçiano Boçi ka kërkuar në Kuvend shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Territoriale, duke argumentuar se procesi nuk ka përfunduar dhe se nuk mund të paraqitet një raport final pa u kryer të gjitha konsultimet.
Boçi tha se komisioni ka realizuar vetëm një pjesë të punës dhe se mungojnë dëgjesat me qytetarët, bashkitë dhe grupet e interesit.
“Ka përfunduar koha, por nuk ka përfunduar puna. Nuk mund të ketë raport përfundimtar kur komisioni nuk ka produktin e tij”, deklaroi ai.
Sipas deputetit të PD-së, reforma territoriale duhet të bazohet te procesi i konsultimit dhe jo vetëm te afatet, duke akuzuar mazhorancën se po shmang hallkat publike dhe parlamentare.
Boçi kërkoi që Kuvendi të votojë shtyrjen e afatit të komisionit, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe institucioneve. Ndërkohë, socialistët e refuzuan këtë kërkesë përmes kryetarit të grupit të tyre parlamentar, Taulant Balla, i cili nuk është bashkëkryetar i këtij komisioni, pasi ai drejtohet nga dy bashkëkryetarët, Luçiano Boçi dhe Arbjan Mazniku.
Boçi:
Faleminderit. Po nuk besoj që një kërkesë për shtyrje afati komisioni mund të ezauriohet në 3 minuta, me gjithë debatin në Konferencën e Kryetarëve. Dhe përsa i përket kërkesës, përmbledhja e saj është shumë e thjeshtë, logjike dhe e argumentuar. Komisioni i reformës territoriale është në mes të punës së tij dhe ka kryer vetëm një pjesë të kësaj pune. Dhe nuk mundet të sillet këtu një argument duke dorëzuar një raport përfundimtar në emër të tij, pse koha ka përfunduar. Ka përfunduar koha, po nuk ka përfunduar puna. Sillni një raport përfundimtar për një punë jo përfundimtare dhe jeni në alogjizëm logjik dhe në alogjizëm politik. Nuk mund të ketë një raport komisioni kur komisioni nuk ka zbatuar procedurën e tij, nuk ka produktin e tij. Komisionet dërgojnë produkt në seancë plenare dhe i nënshtrohen procedurave.
Dhe raporti që ju e quani final, as nuk është dorëzuar në mënyrë ligjore, as nuk është debatuar në komision, as nuk është diskutuar dhe as nuk është votuar. Po, komisioni ka kryer punën e tij deri në momentin që ka realizuar vlerësimin e reformës së vitit 2014. Dhe puna e komisionit duhet të vazhdojë në seancat dëgjimore, si kusht kryesor i miratuar në projektkalendarin e tij, që është marrëveshja midis komisionit dhe seancës, dhe Kuvendit. Duhet të vazhdojë sepse 1/3 e Shqipërisë nuk ka realizuar dëgjesën, dhe kjo është Tirana. Jo vetëm kaq, dëgjesat tematike nuk janë zhvilluar, nuk janë realizuar. Dhe dëgjesat ligjore nuk janë realizuar.
Dhe dëgjesat me kryetarët e bashkive nuk janë realizuar. Dhe dëgjesat sipas kërkesës që kanë dorëzuar shumë komunitete nuk janë dëgjuar. Dhe përderisa kjo punë nuk është përfunduar, përderisa komisioni nuk ka një produkt... nuk po flasim konsensual sepse është jashtë çdo parashikimi... atëherë ky komision duhet patjetër që të kërkojë shtyrjen e tij. Në emër të këtij komisioni, si bashkëkryetar, kam kërkuar shtyrjen e afateve të komisionit. Nuk është asgjë e re, as e padëgjuar, as e pambështetur në ligj. Pothuajse të gjitha komisionet, hetimore apo të posaçme parlamentare në historinë e këtij Kuvendi, janë shtyrë. Sepse nuk është koha bazike. Një sfidë logjike shumë e thjeshtë: sikur ky komision të kishte...
Sikur ky komision të kishte përfunduar punën e tij para atij afati të famshëm që keni vënë ju, çfarë do bënit juve? Do prisnit datën e afatit që pastaj të dilit me konkluzione? Jo mo, nuk është koha kryesore. Kryesore është përmbajtja. Nuk është reforma koha. Reforma është përmbajtja dhe thelbi i këtij komisioni është produkti i tij. Dhe produkti i tij nuk është thjesht një raport, është procesi që të çon tek konkluzionet, është mendimi i marrë nga grupet e interesit, nga bashkitë, i marrë nga qytetarët, që në fund do produktojë një reformë e cila, sipas jush, duhet të rezistojë 10 apo 20 vite. Sepse ajo që bëtë ju rezultoi që ishte tërësisht politike.
Dhe mbi këtë doni të bëni prapë një reformë akoma më politike duke shkrirë bashki që vërtet nuk janë performante, duke shkrirë bashki që të çojnë shërbimet tek ata qytetarë që kanë mbetur, duke shkrirë bashki që të paktën realizojnë atë që sot Europa e kërkon: përfaqësimin e qytetarëve në pushtetin vendor. Kërkesa jonë është një kërkesë legjitime, kërkesë që rëndon peshën e çdo deputeti këtu të parlamentit të Shqipërisë, dhe ju të majtët që nuk e dini cila bashki do shkrihet, që keni reaguar për bashkitë ku jeni përfaqësues, të vogla, që mund të shkrihen, që nuk jeni pyetur për këtë.
Rëndon mbi ndërgjegjen e çdo kryebashkiaku që sot nuk e di se çfarë do ndodhë me bashkinë e tij, dhe rëndon mbi shpinën dhe ndërgjegjen e çdo përfaqësuesi politik, sepse janë shmangur të gjitha hallkat e konsultimit jo vetëm publik, por dhe parlamentar, por dhe politik. Prandaj ju lutem shumë, merrni përsipër përgjegjësinë e jetës suaj. Votoni sot shtyrjen e afateve të këtij komisioni sepse nuk i bëni nder opozitës, i bëni nder vetes dhe i bëni nder parlamentit. Faleminderit.