Probleme që nuk njohin stinë
Verë, vapë, zukatje mizash dhe pickime grenxash agresive në bregdetin ku vazhdon ndërtohet pa hesap. Helbete kjo vazhdon pa u ndalur as në këto kohë mikpritje turistash të cilët vijojnë të vijnë si flamengo, pa u tutur aspak nga protesta apo çmimet e fryra që rivalizojnë tashmë denjësisht me ato të fqinjëve grekë dhe malazezë. Madje shpesh edhe i tejkalojnë bindshëm ndonëse jemi marketuar non-stop si destinacion i lirë dhe kësisoj tërheqim turizmin low-cost me pak përfitim për shqiptarët dhe shumë kosto për mjedisin. Kjo vërtetohet fare kollaj po të shihet numri i net-qëndrimeve, shpenzimet për natë-fjetje etj ku jemi sa 1.5 përqind e volumit të Greqisë por edhe mbas Malit të Zi që ka vetëm një të katërtën e numrit të popullsisë.
Me afrimin e të nxehtit afrikan, ashtu siç ishte parashikuar, pllakosi shkretëtira politika, ndonëse vazhdojnë të bëjnë lajm kaktuset gjeopolitike. Fjala bie, vijimi i krizës në Hormuz ndonëse pati një luhatje të vogël në bursat ndërkombëtare, me shpejtësi galaktike e çoi çmimi mbi 2 euro për litër, pra duke e shumëfishuar fitimin për grosistët e naftës ndërkohë Bordi i Transparencës u shkri si kripa në diell. Por të paktën na mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë të arsimit, shkencës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që në fakt si kudo, edhe te ne janë kapitujt më pak problematikë, kërkojnë kryesisht harmonizim legjislacioni ku dhe ky i fundit nuk është aq voluminoz krahasuar me kapitujt e tjerë por sfidat janë përpara, veçanërisht me kapitujt për prokurimet publike, ato për konkurrencën, sigurinë ushqimore, mjedisin dhe natyrisht kapitujt 23 dhe 24 për drejtësinë, gjyqësorin dhe të drejtat e njeriut që janë më voluminozët ndaj hapen të parët dhe mbyllen të fundit.
Ndërkohë në kampin e brendshëm, revolta vazhdon, protestën nuk po e shuan as vapa e korrikut dhe as kampionati botëror që i erdhi fundi pa tjetërsuar vëmendjen e qytetarëve që protestojnë për hallet dhe problemet me të cilat ndeshen çdo ditë në një mjedis përherë dhe më të padrejtë dhe sfidues. Ndjehet në bisedat e njerëzve, në shesh dhe rrjetet sociale një frymë revolte e vazhdueshme, përzier me ankth dhe pasiguri për të shijuar këtë verë të qetë dhe pa kokëçarje.
Ndërkohë, vazhdojnë të njëjtat tallaze si trafiku i mbirënduar si në akset e stërngarkuara në drejtim të rivierës së jugut ashtu dhe në akset kombëtare të veriut. Mjaft të themi që dhe për Lalëz apo destinacionet e tjera më afër kryeqytetit, distanca prej pak kilometrash shpesh të merre disa orë të mira në pikun e trafikut. Nga ana tjetër, shtrenjtësia e parkingjeve apo mungesa e tyre në Sarandë, Vlorë, Dhërmi e gjetkë e bëjnë akoma më të vështirë planin e pushimeve verore. Ndërkohë që çmimet fluturojnë në hapsanë, po ashtu ikën mundësia që shqiptari mesatar të ketë mundësinë të bëjë disa ditë pushime në vit. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat dhe Instat (anketa SILC - Të ardhurat dhe kushtet e jetesës), Shqipëria rezulton ndër vendet me përqindjen më të lartë në Evropë sa i përket pamundësisë ekonomike për të përballuar një javë pushime në vit larg shtëpisë. Deri në 61% e shqiptarëve raportojnë se nuk kanë mundësi financiare të bëjnë një javë pushim në vit larg shtëpisë, duke përfshirë këtu qëndrimin në një hotel, shtëpi me qira, apo te të afërmit nëse kjo përfshin shpenzime udhëtimi. Kjo është shifra më e lartë e pamundësisë për të garantuar ca ditë shkëputje nga zhegu përvëlues jo vetëm në raport me Evropën e Bashkuar ku synojmë antarësimin por edhe me mëhallën ballkanike që na rrethon.
Ndërkohë që tam tam-ët e sukseseve imagjinare vazhdojnë, shampanja hapet për të disatën herë për progresin e integrimit, ligjet vijojnë qepen me porosi për ata që kanë realisht pushtetin në vend, fitimet zmadhon për oligarkët, hendeku financiar thellohet dhe pamundësia për një jetë të dinjitetshme kthehet në realitet. Por pas verës me thatësirë moti dhe haberesh, do vij shtatori i tramundanave politike me kuvendarë që s’ka këmbanë që i zgjon dhe ndërgjegjëson. Atëherë do të kemi fatin të njihemi dhe me protagonizmin rishtar të rioshëve parlamentarë që për momentin po shullehen plazheve në pritje të marrjes së detyrave të vështira si baballarë kombi. Por problemet e shqiptarëve nuk njohin stinë.