Boksieri shqiptar/ Kristian Prenga nuk trembet: Pas Joshua e ka radhën Fury, mund të rrëzoj çdo rival

Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, është i bindur se mund të shkaktojë surprizën më të madhe të karrierës, teksa më 25 korrik do të përballet me ish-kampionin e botës, Anthony Joshua, në Jedah të Arabisë Saudite.

Në një intervistë për revistën “The Ring”, 35-vjeçari nga Mirdita zbuloi se lajmin për këtë duel e mori përmes një telefonate nga menaxheri i tij, Keith Sullivan.

“Isha i shtangur kur më telefonoi dhe më tha se kishte një mundësi për të luftuar me Joshuan. I thashë se jam gati të përballem me këdo, por kjo ishte mundësia që kam pritur prej kohësh. I thashë: ‘Le ta bëjmë’”, rrëfeu Prenga.

Me bilancin 20 fitore dhe vetëm një humbje, ku të gjitha fitoret kanë ardhur me nokaut, shqiptari beson se fuqia e goditjes dhe atletizmi i tij mund të bëjnë diferencën ndaj favoritit britanik.

“Kam goditje shumë të forta dhe mund të lëndoj çdo kundërshtar. Nuk kam frikë nga askush. Pasi ta nokautoj Joshuan, do të jem mes më të mirëve dhe emri im do të njihet në gjithë botën e boksit”, u shpreh ai.

Joshua shihet si favorit absolut dhe kjo sfidë konsiderohet si një provë përpara superduelit të shumëpritur me Tyson Fury në fund të vitit. Por Prenga beson se planet mund të ndryshojnë.

“Nuk ndihem i fyer që më shohin si një kundërshtar kalimtar. Joshua bëri një gabim të madh që më zgjodhi mua. Pasi ta ndal atë, ndoshta unë do të jem ai që do të përballet me Furyn. Kjo është ndeshja që do të më ndryshojë jetën”, deklaroi me besim boksieri shqiptar.