Gaz lotsjellës në protestën para Kuvendit, qytetari në gjendje të rënduar, ndihmohet nga protestuesit

Protesta e 54-të qytetare para Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me momente tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa qytetarë kanë denoncuar përdorimin e forcës së tepruar nga efektivët.

Një video e mbërritur në redaksinë e SYRI TV tregon një prej rasteve gjatë protestës, ku një qytetar shihet në gjendje të rënduar si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Në pamje, qytetari duket i prekur rëndë, ndërsa ndihmohet nga persona të tjerë pranë tij, të cilët i hedhin ujë në sy dhe përpiqen ta lehtësojnë gjendjen e tij.

Sipas pamjeve, qytetari ka vështirësi për të qëndruar dhe për të përballuar efektet e gazit, ndërsa protestues të tjerë ndërhyjnë për t’i dhënë ndihmën e parë.

Përdorimi i gazit lotsjellës dhe ndërhyrjet e forcave të policisë kanë sjellë tensione gjatë protestës, ndërsa qytetarët dhe kanë akuzuar efektivët për reagim disproporcional ndaj tubimit.