Rubio takon Lavrovin në Manila, në fokus luftërat në Ukrainë dhe Iran

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në kuadër të samitit të ASEAN-it në Manila të Filipineve, ndërsa luftërat në Ukrainë dhe Iran vazhdojnë të përshkallëzohen.

Dy zyrtarët nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve lidhur me pretendimet nëse Rusia po mbështet Iranin në sulmet ndaj forcave amerikane, apo nëse Moska ka ndërmend të ndalojë ofensivën ushtarake në Ukrainë.

Një ditë para takimit, Rubio deklaroi se çështja e Ukrainës do të ishte pjesë e diskutimeve me Lavrovin.

“Nuk e di nëse fjala e duhur është ta vë nën presion. Do të flasim për këtë. Lufta në Ukrainë ka penguar në shumë aspekte bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Rusisë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kërkojmë fusha të tjera bashkëpunimi,” tha ai.

Rubio shtoi se Uashingtoni dëshiron përfundimin e luftës në Ukrainë dhe se do të shqyrtojë nëse ekzistojnë kushte të reja për rinisjen e negociatave të paqes.

Takimi zhvillohet në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë ngecur, ndërsa konflikti mes SHBA-së dhe Iranit është rikthyer me sulme të ndërsjella dhe viktima në të dyja palët.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, por më shumë se 500 ditë pas nisjes së mandatit të tij të dytë, konflikti vijon pa një marrëveshje paqeje në horizont.