Kanadaja përballet me një sezon intensiv të zjarreve pyjore, mbi 3.000 persona të evakuuar
Mbi 3.000 persona janë evakuuar nga më shumë se 12 komunitete në veriperëndim të provincës Ontario, teksa Kanadaja po përballet me një nga sezonet më intensive të zjarreve pyjore në historinë e saj.
“Sot, kryeministri Mark Carney mblodhi Grupin e Reagimit ndaj Incidenteve me ministra dhe zyrtarë të lartë për të diskutuar situatën e zjarreve pyjore në mbarë Kanadanë”, tha zyra e kryeministrit, duke shtuar se grupi u informua për shtimin e aktivitetit të zjarreve, me qindra vatra aktive në të gjithë vendin mes valëve ekstreme të të nxehtit dhe kushteve rekord të thatësisë.
Në deklaratë thuhet se Otava po koordinon veprimet me Qeverinë e Ontarios dhe udhëheqësit e Kombeve të Para, përfshirë mbështetjen e ofruar në përgjigje të kërkesës së Ontarios për ndihmë federale në operacionet e evakuimit ajror.
Sipas deklaratës, gati 300 avionë zjarrfikës, helikopterë, si dhe avionë zbulues dhe evakuimi po mbështesin operacionet për shuarjen e zjarreve.
Forcat e Armatosura Kanadeze kanë dislokuar gjithashtu katër avionë CC-130 Hercules për të mbështetur 13 fluturime evakuimi nga komuniteti Eabametoong, i njohur edhe si Fort Hope, në veriperëndim të Ontarios.
Në deklaratë thuhet se zjarrfikësit po përdorin të dhëna të avancuara, analiza parashikuese dhe inteligjencë artificiale, dronë, imazhe radarike me rezolucion të lartë dhe teknologji të avancuar termike për të mbështetur zbulimin dhe ndërhyrjen në kohë reale.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Carney tha se qeveria ka mobilizuar më shumë se 5.300 zjarrfikës.
“Qeveria jonë do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët provincialë, territorialë dhe indigjenë për të mbështetur komunitetet e prekura dhe për të angazhuar çdo burim të nevojshëm për t’i mbajtur kanadezët të sigurt”, shkroi ai.
Deklarata theksoi gjithashtu mbështetjen e Meksikës në luftën kundër zjarreve, përfshirë angazhimin e saj për të dërguar deri në 200 zjarrfikës gjatë javëve në vijim.
Carney u bëri thirrje banorëve në zonat e prekura të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe kërkoi që të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme drejt rajoneve të prekura, në mënyrë që kapacitetet e akomodimit të mbeten të disponueshme për të evakuuarit dhe ekipet e reagimit.