'Të jemi nesër para Parlamentit’, thirrja e protestueses: Mos lejoni shkrirjen e 14 bashkive dhe prekjen e pronave tona
Në ditën e 53-të të protestës qytetare, një e moshuar ka bërë thirrje për mobilizim kundër reformës territoriale që parashikon shkrirjen e 14 bashkive në vend.
Në fjalën e saj para qytetarëve, ajo u bëri apel banorëve të këtyre zonave që të dalin nesër para Parlamentit, duke paralajmëruar se vendimi për bashkitë rrezikon të prekë pronat dhe tokat e trashëguara brez pas brezi.
Ajo përmendi me radhë bashkitë që, sipas saj, pritet të preken nga kjo reformë: Librazhdin, Pukën, Bulqizën, Klosin, Kurbinin, Tropojën, Vaun e Dejës, Përmetin, Gramshin, Mirditën, Peqinin, Poliçanin, Skraparin dhe Delvinën. Sipas deklaratës së saj, shkrirja e këtyre bashkive nuk është thjesht një ndryshim administrativ, por një çështje që prek të ardhmen e këtyre zonave dhe pronat e qytetarëve.
Në fjalën e saj, ajo ngriti gjithashtu akuza ndaj qeverisë për situatën në Ballsh dhe për mbylljen e Uzinës së Naftës, duke kërkuar reagim edhe nga naftëtarët e Ballshit e Patos-Marinzës. Thirrja e saj ishte për bashkim dhe pjesëmarrje në protestë, me mesazhin se qytetarët duhet të mbrojnë vendlindjet dhe pasuritë e tyre.
‘Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të të gjitha rretheve për të cilat bëhet fjalë tani. Qeveria nesër, në parlament, ka vendosur shkrirjen e 14 bashkive. Reforma territoriale rrezikon zonat tona.
Me shkrirjen e këtyre bashkive, qeveria ka vendosur që pronat e këtyre zonave t’i bëjë prona në dorën e vet dhe të vendosë vetë për to.
Atëherë, t’i dëgjojmë me radhë. Bëhet fjalë për qytetin e Librazhdit, Bashkinë Pukë, Bulqizë, Klos, Kurbin, Tropojë, Vau i Dejës, Përmet, Gramsh, Mirditë, Peqin, Poliçan, Skrapar dhe Delvinë.
A janë këto qytete kaq të vjetra dhe a duhen shkrirë? A jeni dakord të rrini në shtëpi, qytetarë?!
Nesër duhet të jemi para parlamentit vetëm për këtë fakt. Nuk duhet t’i lejojmë. Nuk duhet t’ua falim tokat tona, tokat që gjyshërit tanë i kanë trashëguar me gjak.
Atëherë, qytetarë të të gjitha këtyre qyteteve që përmenda më lart, duhet të jeni nesër para parlamentit në orën 10:30 të mëngjesit.
Përndryshe, të gjithë do të plaçkiteni, do të ikni. Vetëm ata pleq që kanë ngelur do t’ju mbyllin sytë dhe pastaj harrojeni vendlindjen, atdheun.
Edhe unë jam një qytetare e ardhur nga rrethet, por nuk ia fal Belinda Ballukut që shkriu uzinën e naftës në Ballsh. Hajdute!
Madje, premtoi se do ta ngrinte në këmbë dhe, pas një viti, e çoi për skrap.
Nuk ua fal firmave të huaja që vijnë, marrin naftën në Ballsh, në Patos-Marinzë dhe sot bëhen protesta atje për marrjen e rrogave, për shpërblimin e tokave që u kanë marrë pronësinë.
Të gjithë ju thërras nesër, naftëtarë të Ballshit, të Marinzës, kudo që jeni, si dhe qytetarë të bashkive që do të shkrihen.
A ju vjen keq për tokat tuaja? Për atdheun tuaj? Për vendlindjen?
Kaq shpejt do ta harroni fëmijërinë tuaj, vendin ku keni lindur?
Kudo që të jeni, në çdo vend të botës, nesër duhet të jeni aty!’- u shpreh qytetarja