‘Jemi bërë Evropë që u thotë hajdutëve: nuk na përfaqësoni’/ Qytetarja thirrje SPAK: Hetoni Ramën!

Në ditën e 53-të të protestës qytetarja deklaroi se kjo nuk është më një demonstratë, por një “ndryshim rrënjësor” i shoqërisë shqiptare.

Duke komentuar hetimet e SPAK dhe BKH në institucionet e zhvillimit të territorit, ajo i cilësoi si një sinjal pozitiv dhe kërkoi që drejtësia të veprojë pa përjashtime e pa standarde të dyfishta. Mesazhi i saj ishte i qartë: “Zbatoni ligjin! Hetoni Ramën!”

 

Fjala e saj:

Jemi në ditën e 53-të të një revolte qytetare, të gjithë shqiptarëve që thonë: Jemi këtu për t'ju larguar ju që keni 36 vjet që na vidhni, na pastroni dhe na largoni nga vendi ynë!

Në 53 ditë nuk ka ndodhur vetëm një demonstratë. Ka ndodhur një ndryshim rrënjësor i të gjithë shoqërisë shqiptare. Më pak se dy muaj, ne kemi ndryshuar edhe perceptimin për veten. E mbani mend si na referoheshin si një shoqëri që nuk di të bëjë shtet, si një shoqëri që nuk di të bëhet bashkë, si një shoqëri që nuk di të bashkohet dhe të dalë përballë atyre që e dhunojnë, atyre që e zbrazin.

Në 53 ditë në këtë shesh kam parë më shumë solidaritet se në çdo vend tjetër. Kam parë më shumë shpresë se në çdo vend tjetër. Kam parë më shumë dashuri për veten, për shoqërinë dhe për atdheun se në çdo vend tjetër!

Në 53 ditë ne jemi bërë ajo që kemi ëndërruar. Jemi bërë Evropë! Evropa që i thotë hajdutëve: nuk na përfaqësoni. Jemi bërë ajo shoqëri që flet me zërin e vet, që i del përballë krimit në parlament, që i del përballë oligarkisë, që i del përballë mediave të shitura.

Në 53 ditë kemi marrë mbështetje nga të gjitha mediat ndërkombëtare, nga të gjithë institucionet e Bashkimit Evropian, nga të gjithë deputetët të cilët thonë një zëri: shoqëria shqiptare është gati për në Evropë, por qeveria e saj jo!

Në vazhdë të gjithë mbështetjes që kemi marrë deri më tani, mendoj se sot është një ditë e rëndësishme që duhet folur dhe duhet nxitur. Lajmi se SPAK dhe BKH po kryejnë veprime hetimore në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujërave është një sinjal shumë pozitiv. Prej kohësh kemi thënë se pikërisht në këto institucione kalojnë vendimet më të rëndësishme për zhvillimin e territorit, të gjitha me firmën e kryeministrit Rama.

 Në këto institucione miratohen kullat, resortet dhe të gjitha projektet strategjike. Pikërisht në këto institucione i drejtohemi institucioneve të drejtësisë të verifikojnë nëse janë respektuar ligji, procedurat, transparenca dhe interesi publik. Për këto arsye, fakti që këto institucione janë sot në fokusin e SPAK-ut është për t'u përshëndetur. Hetimet duhet të shkojnë deri në fund, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta!

Dhe si ditën e parë i drejtohemi institucioneve të drejtësisë se jemi në mbështetje, por kemi një kërkesë: Hetoni Ramën!

Të mos harrojmë se kjo vëmendje e institucioneve të drejtësisë është një kontribut edhe i këtij sheshi, edhe i kësaj proteste, edhe i kësaj qëndrese që keni prodhuar prej 53 ditësh!

Me denoncimet tona të përditshme, me kallëzimet e depozituara në SPAK dhe me materialet që po i drejtohen drejtësisë çdo ditë nga grupime të ndryshme, po kërkojmë vetëm një gjë. Institucioneve të drejtësisë i themi: Zbatoni ligjin! Hetoni Ramën!

Në ditët në vijim do t'i bashkëngjiten SPAK-ut edhe materiale dhe akte të tjera që lidhen me shkeljet e evidentuara në Albanian [audio e paqartë], por edhe me raste të tjera që tregojnë të njëjtin model të miratimit të projekteve në kundërshtim me procedurat dhe interesin publik.

Sepse problemi nuk është vetëm çfarë është ndërtuar, problemi është si është ndërtuar. A janë respektuar të gjitha hallkat ligjore? A është dëgjuar zëri i qytetarëve? A është mbrojtur mjedisi, trashëgimia kulturore dhe interesi publik? Pyetja për SPAK sot është: A është anashkaluar interesi publik për interesat e oligarkisë, të medias së kapur dhe të krimit të organizuar?

Prandaj duke i bashkëngjitur kësaj pyetjeje, i bëjmë dhe një kërkesë: Hetoni Ramën

Dua edhe një herë të them se nga ky shesh është artikuluar një zëri mbështetja për institucionet e drejtësisë. Megjithatë, kjo mbështetje nuk vjen symbyllurazi. Kemi nevojë për hetimin e të gjithë politikanëve të klasës së korruptuar politike 36-vjeçare! Kërkojmë sekuestrimin e pasurive publike

Dhe në mbështetje, por në kërkesë të institucioneve të drejtësisë përsërisim: Hetoni Ramën!