Debutim me humbje për Allegrin te Napoli, Arezzo fiton 3-1 në miqësore
Debutimi i Massimiliano Allegrit në stolin e Napolit nuk ka qenë ai i dëshiruari. Të kaltrit u mposhtën 3-1 nga Arezzo në ndeshjen miqësore të zhvilluar në SKI.IT Arena të Carciato-s, gjatë fazës përgatitore në Val di Sole.
Napoli, ende pa disa nga ‘yjet’ që morën pjesë në Botërorin 2026, e pa veten në disavantazh që në minutën e 11-të, kur Cerri kaloi Arezzon në epërsi me një goditje me kokë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të skuadrës toskane.
Në pjesën e dytë, Allegri ndryshoi pothuajse të gjithë formacionin, por ishte sërish Arezzo që shënoi, këtë herë me Gilli-n në minutën e 56-të. Napoli reagoi menjëherë dhe ngushtoi diferencën falë Matteo Politanos, i cili realizoi pas pritjes së penalltisë së tij nga portieri Serban, duke shënuar me topin e kthyer.
Të kaltrit tentuan të barazonin, madje Lucca goditi shtyllën në minutën e 82-të, por në fund ishte Eklu ai që vulosi fitoren 3-1 të Arezzos.
Kjo është humbja e dytë radhazi e Napolit ndaj Arezzos në miqësoret verore, pas disfatës së sezonit të kaluar, kur skuadra drejtohej nga Antonio Conte. Për Allegrin, testi i parë shërbeu si një mundësi për të parë nga afër gjendjen e ekipit, ndërsa pritet rikthimi i futbollistëve kryesorë në ditët në vijim.