'Turizëm elitar' apo dështim qeveritar', I riu shpërthen ndaj Gonxhes: Nuk na përfaqësoni, keni harruar shqiptarët
Në ditën e 53 të revoltës qytetare, i riu u shpreh se përballë shqiptarëve qëndron një klasë politike e shkëputur nga realiteti, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë dhe ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja, për dështime në menaxhimin e turizmit dhe mungesë përgjegjësie publike.
Nga sheshi i protestës, ai deklaroi se ministri Gonxhja po kërkon të justifikojë dështimet e tij duke ia faturuar qytetarëve dhe protestuesve, ndërsa e cilësoi qeverisjen aktuale si të shkëputur nga hallet e shqiptarëve.
Në fjalimin e tij, ai ngriti akuza të forta për modelin e zhvillimit të vendit, duke thënë se pas retorikës për “turizëm elitar” fshihen probleme të rënda me shërbimet bazë, mungesën e ujit dhe energjisë elektrike në zonat turistike, si dhe krizën e menaxhimit të mbetjeve. Ai akuzoi mazhorancën se ka ndërtuar një model ku përfitojnë pak individë, ndërsa qytetarët përballen me varfëri, emigrim dhe mungesë perspektive.
I riu deklaroi se shqiptarët nuk janë kundër investimeve dhe zhvillimit, por kundër projekteve që, sipas tij, nuk sjellin përfitime për qytetarët. Në mbyllje të fjalës së tij, ai bëri thirrje për vijimin e protestës, duke përcjellë mesazhin: “Eja në protestë!”.
Fjala e tij:
Fillimisht dua t’ju them se jeni populli më i bukur, më i bashkuar, më solidar, që ka treguar forcën e pamposhtur. Keni treguar që jeni me të vërtetë bijtë dhe bijat e Kastriotit dhe nipërit e Ismail Qemalit.
Me të thënë këtë, dua të them se ka disa pseudo-shqiptarë në mesin tonë. Një pjesë e mirë prej tyre janë në parlament, të cilët bëjnë sikur votojnë për ne dhe bëjnë sikur na qajnë hallin, por në të vërtetë ata kanë vetëm interesat e tyre. Votojnë për interesat e tyre dhe nuk u intereson asgjë tjetër veçse të zmadhojnë xhepat.
Për Blendi Gonxhen unë kisha një mesazh, të cilin e kam postuar edhe në mediat sociale, por po e them edhe një herë këtu.
Blendi Gonxhja është ankuar dhe ka thënë se koncertin e dëmtuam ne. Blendi Gonxhe, një ministër i dështuar, kërkon të gjejë justifikime për koncertin e tij të dështuar.
Ne kemi vetëm për të të thënë: ti, Blendi, nuk na përfaqëson. Dhe jo vetëm që nuk na përfaqëson denjësisht, por ke treguar se je një nga ministrat më të turpshëm të historisë së politikës shqiptare.
Jo vetëm je përpjekur të na hedhësh baltë, jo vetëm je përpjekur të mbështesësh dështimin tënd si individ dhe si politikan, por gjithashtu je përpjekur që të gjitha problematikat që ti ke krijuar t’ua hedhësh neve si protestues.
Asnjëherë Blendi Gonxhja nuk ka dalë dhe nuk ka pasur shtyllën kurrizore t’u thotë shqiptarëve: “Po, gabova”.
Sepse nuk ka gjë të gabosh. Të gabosh është njerëzore. Patjetër. Gjithsecili gabon, gjithsecili ka faje. Jemi njerëz, jemi mish, me shpirt, me gjak.
Por ju nuk keni shtyllë kurrizore, ju jeni zvarranikë. Sepse gjeni justifikimin dhe kauzën e parë për t’u përpjekur që t’i hiqni përgjegjësitë nga vetja. Dhe kjo është e turpshme.
Shqiptari ka pasur gjithmonë guxim. Shqiptari nuk i druhet asgjëje. Shqiptari nuk e ka zakon të shesë shqiptarin, apo jo?
Prandaj, Blendi Gonxhe, merre përgjegjësinë mbi supe. Thuaj: “Gabova”. Deshe dhe i more ato para, deshe dhe i përdore siç të deshi qejfi, jo siç deshi vullneti i popullit.
Dhe nuk i bëre studimet, sepse ju jeni në delir. Partia Socialiste është e gjitha në delir dhe ka harruar që qytetarët këtu jetojnë një realitet tjetër kundrejt jush.
Ju mendoni vetëm të pasuroheni, mendoni vetëm si të rrisni milionat, kurse shqiptari mezi nxjerr bukën e gojës.
Patjetër që juve Shqipëria ju duket e bukur. Sepse kur jetoni në ato lukset tuaja, normalisht që çdo gjë për ju është në rregull.
Kur ju pushimet i bëni në vendet më të shtrenjta, ku vendosni gardhe që qytetarët të mos kenë mundësi të shkojnë, patjetër që Shqipëria është e bukur.
Por ju nuk e bëni plazhin aty ku e bën një qytetar shqiptar, ku derdhen kanalet e ujërave të zeza, apo jo?
Ju nuk shkoni në të njëjtat spitale ku shkon një qytetar, apo jo? Kur keni probleme shëndetësore, merrni avionin dhe ikni jashtë shtetit, apo jo?
Po çfarë të bëjë një qytetar shqiptar? Çfarë të bëjë kur ju e keni lënë për bukën e gojës?
Sepse kur lihet një qytetar pa bukën e gojës, nuk ka më liri ekonomike. Dhe kur një shqiptar dhe një qytetar nuk kanë liri ekonomike, nuk kanë të drejtën të zgjedhin kë të votojnë, por do të dëgjojnë ju.
Kur ai qytetar shkon te kutia e votimit, mendon: “Çfarë të bëj? Kujt t’ia jap? Këta më gënjejnë, kurse këta më kërcënojnë”.
Pra, në Shqipëri nuk kemi zgjedhje të lira. Dhe në Shqipëri nuk kemi politikanë që na përfaqësojnë.
Dhe ju na keni dështuar në të gjitha frontet.
Na keni dështuar në frontin e turizmit, kur ju e sabotoni vetë, sepse doni vetëm të përfitoni.
Na keni dështuar në mjedis, ku thoni se keni bërë përparësi dhe arritje, por as edhe një hap nuk keni marrë për të bërë diçka.
Çdo gjë që ka ndodhur në mjedis është fakti se Shqipëria po shpopullohet. Dhe kur ka më pak shqiptarë, ka më pak konsum; kur ka më pak konsum, ka më pak ndotje.
Sepse kur qytetet janë bosh dhe fshatrat janë bosh, ato nuk harxhojnë as elektricitet, as ushqim, asgjë.
Pra, ju nuk keni bërë as edhe një gjë, vetëm se e keni shpopulluar Shqipërinë dhe e keni varfëruar Shqipërinë.
Patjetër që ne do të konsumojmë më pak, sepse ju na keni detyruar që ne të konsumojmë më pak.
Çdo herë shqiptari mesatar e mat mirë para se të shpenzojë diçka, sepse e keni bërë ju një gjë të tillë.
Ne nuk jemi kundër investimeve, jo. Ta kuptojnë mediat, politikanët dhe mediat ndërkombëtare: ne nuk jemi kundër investimeve.
Ne jemi kundër investimeve të cilat nuk na japin as edhe një gjë mbrapsht qytetarëve.
Ne jemi kundër investimeve ku vendoset gardhi dhe i thuhet shqiptarit: “Ti, shqiptar, bëje aty, kurse plazhin unë e bëj këtu”.
Ne jemi kundër investimeve të cilat vetëm shërbejnë për dy-tre xhepa.
Ne jemi kundër këtyre investimeve, po. Por ne nuk jemi kundër investimeve.
Patjetër që e mirëpresim zhvillimin e Shqipërisë dhe duam që Shqipëria të jetë evropiane, të përparojë dhe të jetë më e zhvilluar.
Por jo siç e mendoni ju. Jo me “blueprint”-in tuaj të zhvillimit, sepse ai zhvillim ka vetëm xhepat tuaj dhe jo tanët.
Dhe sa i përket turizmit, ju vetë e keni degraduar turizmin në këtë pikë.
Sepse ju vetë u thoni banorëve të Thethit: “Ejani investoni”, dhe pastaj ua shembni.
Ju jeni të pabesë. Politikanë të pabesë.
Dhe ju e keni dëmtuar turizmin, sepse nuk mundoheni të bëni as edhe gjërat bazë për turistët kur vijnë këtu.
Saranda dhe Vlora janë pa drita, pa energji elektrike në vitin 2024, dhe këta flasin për turizëm elitar.
Në Vlorë sot e kësaj dite digjet landfilli. Plehrat, mor plehrat, digjen. Sepse nuk kanë ku t’i çojnë, sepse lekët e inceneratorëve e dimë se çfarë i bënë.
Pra, si mund të keni ju turizëm elitar kur ju i digjni plehrat dhe ato gazra kancerogjene ua shërbeni njerëzve të qytetit të Vlorës dhe të Sarandës?
Si mund të keni ju turizëm kur ju i lini qytetet pa ujë? Pa ujë!
Pra, folëm shumë...
Zakonisht nuk përgatis asgjë kur vij të flas, sepse çdo gjë më buron nga zemra dhe mendoj se ju shqiptarë meritoni vetëm të vërtetën.
Jeni gënjyer nga të katërmbëdhjetë anët dhe është bërë status quo-ja që politikanët gënjejnë dhe vjedhin.
Është koha që Shqipëria të zgjedhë njerëz të ndershëm. Është koha që Shqipëria të zgjedhë njerëz të cilët e përfaqësojnë dhe jo këtë klasë pseudo-politike të 30 e ca viteve të fundit.
Prandaj, shqiptarë, unë kam vetëm një mesazh dhe gjithmonë e kam përsëritur atë:
Eja në protestë!
Dhe së fundmi dua t’u them të gjithë atyre që nuk besojnë:
Nëse bota rreth e rrotull ju duket e errët, mos u bashkoni edhe ju me errësirën.
Në qoftë se rreth e rrotull nuk ka dritë, bëhuni ju drita që të tjerët të ecin përpara.
Në qoftë se njerëzit rreth e rrotull janë të hidhëruar dhe nuk kanë besim, bëhuni ju shpresa e atyre njerëzve.
Shqiptarë, jeni të mrekullueshëm.
Nuk ju uroj asgjë tjetër veçse gjithë të mirat e mundshme, sepse jeni një popull i vuajtur dhe të gjitha të mirat duhet të vijnë. Ka ardhur koha që ne të fillojmë t’i ndërtojmë dhe t’i marrim vetë në duart tona ato.
Së fundmi, përsëri, mesazhi im është:
Eja në protestë!