‘Është mik besnik i Afrikës, ne e mbështesim’, Infantino drejt rizgjedhjes në FIFA
Gianni Infantino po afrohet drejt një mandati të ri në krye të FIFA-s, ndërsa mbështetja për presidentin aktual të organizatës botërore të futbollit po rritet jashtë Evropës. Pas konfederatës së Amerikës së Jugut (CONMEBOL), edhe konfederata afrikane (CAF) ka deklaruar hapur mbështetjen për rizgjedhjen e tij.
Presidenti i CAF, Patrice Motsepe, gjatë një konference për shtyp vlerësoi punën e Infantinos dhe veçanërisht zgjerimin e Kupës së Botës në 64 skuadra, një ide që është mbështetur nga disa federata jashtë Evropës.
“Ne kemi vendosur ta mbështesim Infantino-n dhe unë personalisht e mbështes atë. Ai nuk është vetëm një mik i mirë, por një mik besnik dhe i sinqertë i Afrikës. Vlerësoj dashurinë e tij të madhe për futbollin, përkushtimin e palëkundur ndaj këtij sporti në nivel global dhe mbështetjen që i ka dhënë Afrikës”, deklaroi Motsepe.
Infantino është në krye të FIFA-s që prej vitit 2016, kur pasoi Sepp Blatterin, dhe synon të marrë mandatin e katërt në zgjedhjet e ardhshme. Aktualisht ai është kandidati i vetëm për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Megjithatë, situata nuk është e njëjtë në të gjitha kontinentet. Në Evropë, figura e Infantinos vazhdon të jetë nën kritika, ndërsa presidenti i LaLiga-s spanjolle, Javier Tebas, ka shprehur kundërshtime të forta ndaj tij. UEFA raportohet se po kërkon alternativa për një kandidat tjetër, edhe pse koha deri në zgjedhje është e kufizuar.
Në krahun tjetër, mbështetja e CONMEBOL dhe CAF i jep Infantinos një avantazh të rëndësishëm, veçanërisht duke pasur parasysh peshën e Afrikës me 54 federata anëtare.
Ndërkohë, një zhvillim tjetër që mund të ndikojë në të ardhmen e Infantinos është raportimi se Donald Trump mund ta mbështesë atë për një rol si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB). Një mundësi e tillë do të ndryshonte ndjeshëm skenarin për zgjedhjet e ardhshme në FIFA.