VIDEO/ Neza: ‘Paketa e Maleve’ mund të jetë zhvendosja e skemës së resorteve nga bregdeti në mal

Gazetari Sami Neza, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka ngritur pikëpyetje mbi këmbënguljen e qeverisë për të vijuar me ‘Paketën e Maleve’, pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të shoqërisë civile.

Sipas Nezës, pas kësaj nisme mund të fshihet një përpjekje për të zëvendësuar një skemë të ndërtimit të resorteve në bregdet me një tjetër skemë në zonat malore. Ai solli në vëmendje çështjen e ashtuquajtur ‘Albanian Files’, duke deklaruar se sipas tij kjo skemë ka nxjerrë në pah problematika që lidhen me projektet turistike në bregdet.

Sipas gazetarit, nëse çështja do të regjistrohet penalisht nga SPAK, një pjesë e projekteve turistike mund të përballen me pengesa dhe kjo mund të çojë në zhvendosjen e vëmendjes drejt zonave malore.

‘Atëherë, unë mendoj se ka dy gjëra domethënë që e lidhin këmbënguljen e tij për të vijuar me paketën e maleve, pavarësisht protestave dhe kërkesës së protestuesve për ta anuluar këtë ligj. Së pari, them se ka një prirje, ose ndoshta jo vendimmarrje, po prirje po domethënë, për të zëvendësuar një skemë me këtë skemë. Domethënë nuk kemi thjesht vetëm transferim të skemës së ndërtimit të resorteve në bregdet tek malet, por kemi edhe një zëvendësim skeme.

Pse? Sepse praktikisht 'Albanian files' e ka dekonspiruar. Domethënë pa dashje Rama u vetëdekonspirua në skemën e tij për ndërtimin e resorteve përgjatë bregdetit, kryesisht përgjatë bregdetit.

Ajo skemë tani është e paditur në SPAK dhe me siguri SPAK-u do të gjejë plot argumente ose plot fakte të cilat mund të bëjnë ose detyrojnë SPAK-un që të regjistrojë çështje penale.

Në qoftë se u regjistrua si çështje penale, çështja e 'Albanian files' do të thotë 50 e ca projekte të cilat disa janë projektuar, disa janë në proces, disa kanë përfunduar, disa janë thjesht vizion, mund të bllokohen. Dhe gjithë ai premtimi i Ramës, ose premtimi ndaj aksesorëve të ndryshëm të cilët do furnizonin qoftë me para, qoftë me ide, qoftë me turizëm, këto resorte duhet të zhvendoset diku dhe është shumë e mundur që ka një skenar që mund ta çojë 'Albanian files', ta çojë te 'Albanian mountain files'.

E njëjta filozofi. E dyta lidhet me, siç e thatë edhe ju më përpara, lidhet edhe me reformën territoriale. Reforma territoriale që në vitin 2016 në fakt nuk ka qenë reformë territoriale, ka qenë reformë politike. Dhe kur është bërë në 2016-ën synimi kryesor ka qenë përfitimi politik, domethënë outputi i kësaj reforme do jetë...

Po, do jetë elektoral. Dhe pse do ishte elektoral? Shumë njerëz, specialistët e dinin dhe kanë ekspertë shumë të mirë të zgjedhjeve dhe të votimeve, e dinin shumë mirë se në disa qytete të mëdha, periferia votonte majtas, qendra votonte djathtas, dhe bashkimi i periferisë me qendrën mund të mbyste ose të zhdukte nuancat të cilat ishin të theksuara në qendër po zbeheshin në periferi.

Kjo ka ndodhur. Kjo është lehtësisht e kuptueshme në qoftë se krahasojmë rezultatet e mazhoritarit të asaj kohe në 2013-ën me rezultatet e zgjedhjeve lokale në 2015-ën.

Ose në 2021-shin është më mirë sesa te 2011-ta, nuk është ndonjë referencë shumë e qartë.

Dhe do shikojmë se rezultatet e mazhoritarit të asaj për bashkinë e Durrësit, për qarkun e Durrësit, janë fifty-fifty në rezultat. Kurse si bashki ajo ka kohë që e fiton e majta. Për shkak të këtij lloji bashkimi. E njëjta gjë ka ndodhur në Elbasan. Elbasani nuk është, kur voton si qytet nuk ka votë të majtë. Ka votë të djathtë. Bashkimi i Elbasanit me disa komuna, ish-komuna, me disa fshatra përreth, arrin që të neutralizojë votën e djathtë dhe të kthejë Elbasanin... e njëjta gjë ka ndodhur me Korçën. Nuk them që ka ndodhur me Fierin, sepse Fieri si brenda si në periferi si në qendër ka qenë i majtë. Nuk mund të them se ka ndodhur me Vlorën po ashtu. Dhe prandaj them se ajo ka qenë politike.

Tani nuk është vetëm politike, tani përpiqet që të konsolidojë edhe më shumë pushtetin qendror. Domethënë ta përqendrojë pushtetin, por edhe ta vertikalizojë.

Të përqendrohet pushteti sepse ulet numri i bashkive. Duke ulur numrin e bashkive natyrisht që kemi përqendrim pushteti duke mos marrë parasysh të gjitha ato efektet anësore që prodhon ky përqendrim pushteti, të cilat janë shërbimet ndaj qytetarëve. Dhe vertikalizimi. Vertikalizimi në fakt janë vendosur piketat e vertikalizimit, siç janë lejet për ndërtime mbi 4 kate, është një formë e shfaqjes së vertikalizimit të pushtetit. Por ndërkohë që ti ke vetëm 40 e ca bashki, pushteti qendror mund ta sundojë shumë më lehtë pushtetin lokal. Dhe në qoftë se sigurohet qoftë përqendrimi, qoftë vertikalizimi, domethënë që të dyja funksionojnë mirë dhe përshtaten mirë njëra me tjetrën, suportojnë njëra tjetrën, atëherë autokracia funksionon shumë më mirë. Është më perfekte.

Dhe duke qenë autokracia më e përsosur, do të thotë se dhe pushteti është shumë e vështirë të zhvendoset ose të lëvizë, qoftë edhe me instrumente demokratikë. Qoftë edhe me zgjedhje të ndershme. Mund të bësh zgjedhje të ndershme në autokraci dhe fiton autokracia sërish.’, theksoi ndër të tjera Sami Neza në SYRI TV.