A ka ndikuar riinvestimi i fitimeve tek ‘Kryengritja e lavdishme’ e lekut?

Nga Irena Beqiraj 

Komplimenti më i mirë që marr e jap me dikë që nuk jam dakord nuk është "Ke të drejtë", por është "Më bëre të mendoj"!

Vëtëm riekzaminimi i njohurive të ndihmon të kuptosh kompleksitetin aty ku çdo gjë duket e thjeshtë.

Ndaj debati se nëse fitimi i riinvestuar i kompanive të huaja ka ndikuar në "Kryengritjen e lavdishme" të forcimit të lekut, më bëri të mendoj edhe të rilexoj sërisht.

Një nga dallimet më të vështira për t'u kuptuar nga studentët e financës ka qënë gjithmonë dallimi midis fitimin neto edhe fluksit të parasë . Në kursin jo aq të thjeshtë të Analizës Financiare të Korporatave,  shpjegimin e këtij dallimi e filloja gjithmonë me shprehjen e famshme se "Fitimi neto është opinion, fluksi neto i parasë është fakt .

Fitimi neto është opinion sepse vlera e tij varet nga standardet edhe metodologjitë e ndjekura të raportimit  financiar,  ndaj edhe vlera e fitimin do të ndryshonte në varësi të tyre. Ndërsa fluksi monetar jo . Ndaj kur vlerësohet një kompani  analistët i kushtojnë më shumë rëndësi fluksit të parasë edhe jo  fitimin neto.

Thënë këtë, kur kompanitë huaja riinvestojnë fitimin  edhe pse konsiderohet rritje e kapitalit edhe si i tillë paraqitet ngjarja ekonomike  nuk shoqërohet me injektim monetar shtesë as në kompani e as në ekonomi. Pra është thjesht një lëvizje shumash pa efekt monetar nga llogaria e fitimit tek ajo e kapitalit , pa ndikuar në fluksin neto të parasë së kompanisë si edhe pa krijuar një bazë monetare shtesë në ekonomi. 

Thënë këtë, ngjarja e riinvestimit të fitimit nuk shoqërohet me asnjë shtesë valutore të re në tregun e këmbimit valutor, dhe si e tillë krijon neutralitet qoftë tek bilanci i pagesave qoftë tek kursi i këmbimit.

Meqenëse asnjë para ndërkufitare nuk lëviz fizikisht  për të siguruar neutralitetin matematikor edhe efektin zero në bilancin e pagesave,  metodologjia e  Eurostat përcakton që 830 milionë euro e fitimevr të riinvestuara  gjatë 2025 të  regjistrohen në bilancin e pagesave  në dy  llogari  edhe si hyrje  edhe si dalje  duke zeruar kështu efektin e tyre edhe në bilancin e pagesave. 

Ky shpjegim teorik mbështetet edhe nga studimet empirike.

Provat empirike ndërkombëtare nuk tregojnë një lidhje të fortë të drejtpërdrejtë midis fitimeve të mbajtura (fitimeve të riinvestuara) të kompanive të huaja dhe mbivlerësimit të monedhës vendase, pikërisht për arsyen se fitimet e mbajtura nuk përfshijnë flukse të reja apo implikojnë domosdoshmërisht ndonjë transaksion të këmbimit valutor . Në vend të kësaj, provat tregojnë  vetëm efekte indirekte dhe të kushtëzuara nga fakti nëse riinvestimi edhe IHD në përgjithësi lidhen me produktivitetin më të lartë edhe zgjerimit të eksportit.

Në Shqipëri struktura e investimeve të huaja  ka pak ose aspak lidhje  me rritjen e produktivitetin edhe me eksportin.Madje natyra e tyre pak ose aspak produktive, kufizon në mënyrë të ndjeshme efektin e tyre në ekonomi.

Thënë shkurt,  teoria edhe studimet empirike bashkohen në të njëjtën pikë : fitimet e riinvestuara kanë pak ose aspak ndikim  në mbiçmimin e lekut , sepse ato nuk nuk ndikon kërkesë ofertën e menjëhershme për valutë të huaj apo monedhë vendase .  Çdo ndikim i tyre vjen në mënyrë të tërthortë  përmes rritjes  produktivitetit edhe nxitjes së eksportit!

Qëllimi përfundimtar i këtij debati nuk është të prodhojë konsensus e aq më pak dominim , por të shtyjë të menduarit kritik i cili është tipari kryesor  që dallon një ekonomist të zakonshëm nga një ekonomist i mirë. 

Sepse  ekonomistët e zakonshëm, janë  si shoferët që e konsiderojnë veten të mirë por mund të rrëzohen në rrugë të drejtë!