Roberto Carlos dhe Ronaldo ‘Fenomeni’ bashkohen për të blerë klubin brazilian
Dy legjendat e futbollit brazilian, Roberto Carlos dhe Ronaldo Nazário, pritet të bëhen bashkë në një projekt të ri në botën e futbollit. Ish-mbrojtësi i majtë ka zbuluar se do t’i bashkohet grupit të investitorëve të udhëhequr nga “Fenomeni” për blerjen e klubit brazilian Inter de Limeira.
Skuadra nga shteti i São Paulos aktualisht kryeson Serinë C të kampionatit brazilian, ndërsa interesimi i Ronaldos për këtë klub ishte bërë i ditur disa muaj më parë. Tani, Roberto Carlos ka konfirmuar përfshirjen e tij në këtë projekt.
Në një intervistë për programin “Debate em Jogo” në kanalin Wamo, kampioni i botës me Brazilin në vitin 2002 shpjegoi detajet e marrëveshjes.
"Unë dhe Ronaldo po blejmë Inter de Limeira, së bashku me Enricon dhe dy ortakë të tjerë tanët, një afrikan dhe një arab", deklaroi Roberto Carlos.
Sipas ish-futbollistit të Real Madridit, qëllimi i këtij investimi është të ringjallë futbollin në zonat e brendshme të shtetit të São Paulos dhe t'u japë më shumë mundësi klubeve lokale për zhvillim.
"Do të hyjmë pak nga pak përsëri në futbollin e brendshëm, në mënyrë që këto klube të mund të prodhojnë lojtarë të mëdhenj për kombëtaren dhe njëkohësisht të riorganizohen", tha Roberto Carlos.
Projekti parashikon transformimin e Inter de Limeira në një Shoqëri Anonime Futbolli (SAF), një model që është përhapur vitet e fundit në Brazil për menaxhimin profesional të klubeve.
Në krye të këtij operacioni është drejtuesi Enrico Ambrogini, i cili ka bashkëpunuar më parë me Ronaldon te Cruzeiro në Brazil dhe Valladolid në Spanjë, si dhe ka qenë drejtor ekzekutiv i vetë Inter de Limeira nga viti 2019 deri në vitin 2021.
Pas sukseseve të tyre të mëdha si futbollistë, Roberto Carlos dhe Ronaldo tashmë synojnë të lënë gjurmë edhe si investitorë, duke ndihmuar në zhvillimin e futbollit brazilian.