‘Ndeshja ime e fundit’, Messi u ka rrëfyer shokëve të ekipit vendimim përfundimtar

Lionel Messi mund ta ketë luajtur ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës. Sipas raportimeve nga gazetari Hernán Castillo, kapiteni i “Albiceleste”-s u ka komunikuar shokëve të skuadrës se finalja e Botërorit 2026 ndaj Spanjës ishte paraqitja e tij e fundit në arenën ndërkombëtare.

Sipas Castillo-s, pas përfundimit të turneut, Messi ka mbajtur një fjalim emocional në dhomat e zhveshjes për të gjithë ekipin argjentinas, ku ka bërë të ditur vendimin e tij për t’i dhënë fund aventurës me kombëtaren.

“Leo Messi u ka thënë shokëve të tij te kombëtarja argjentinase se finalja e Botërorit ndaj Spanjës ishte ndeshja e tij e fundit me ekipin kombëtar. Pas finales, ai mbajti një fjalim emocional për shokët e skuadrës”, raportoi gazetari argjentinas.

Nëse konfirmohet, ky vendim do të shënonte fundin e një epoke për futbollin argjentinas. Messi, i cili për vite ka qenë simboli kryesor i kombëtares, e mbyll një kapitull historik me fanellën e “Albiceleste”, ku arriti të fitonte Kupën e Botës 2022, Kupën e Amerikës 2021 dhe 2024, si dhe trofe të tjerë madhorë.

Finalja e Botërorit 2026 ndaj Spanjës do të mbetet një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, teksa ylli argjentinas kërkoi një tjetër titull botëror, por nuk arriti të përsëriste suksesin e Katarit.

Messi, tashmë 39-vjeçar, ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për të ardhmen e tij me kombëtaren, por raportimet nga Argjentina sugjerojnë se ai mund t’i ketë dhënë lamtumirën skenës ndërkombëtare pas më shumë se dy dekadash.