Rodri dëshiron transferimin te Real Madridi, pritet vendimi i Florentino Pérez-it

Rodri mund të jetë një nga emrat më të mëdhenj të merkatos së verës. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, mesfushori i Manchester City-t dëshiron të transferohet te Real Madridi gjatë kësaj vere.

30-vjeçari ndodhet në një moment të favorshëm të karrierës së tij, pasi vlera dhe reputacioni i tij janë rritur ndjeshëm pas paraqitjeve të shkëlqyera në Botërorin 2026, ku u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut me fanellën e Spanjës.

Kontrata e Rodrit me Manchester City-n skadon pas një viti, ndërsa klubi anglez nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për ta bindur të rinovojë. Drejtuesit e "Qytetarëve" vazhdojnë t'i vënë në tavolinë ofertën për zgjatjen e bashkëpunimit.

Real Madridi e ka vlerësuar prej kohësh ish-mesfushorin e Atlético Madridit dhe e konsideron atë një përforcim ideal për mesfushën. Megjithatë, sipas Romanos, operacioni nuk ka marrë ende dritën jeshile nga presidenti Florentino Pérez.

Pikërisht vendimi i kreut të klubit madrilen do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse "Los Blancos" do ta intensifikojnë ofensivën për një nga mesfushorët më të mirë në botë.

Nëse Florentino Pérez jep miratimin përfundimtar, transferimi i Rodrit te Real Madridi mund të shndërrohet në një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje verore.