Gjokutaj: Tani radha e JLo të na shpëtojë nderin, veç ne populli të mos flasim për spitale, shkolla
Nga Genc Gjokutaj
Të nderuar miq!
Meqë koncerti i Kanye West e shpëtoi nderin e Shqipërisë, tani na mbetet që këtë nder të shpëtuar ta mbajmë dhe ta mbrojmë të pacënuar!
Dhe zogu i fatit na ka ardhur në dorë!
Jennifer Lopez vjen të këndojë në Shqipëri! Ka ca kushte, po varja!
Sepse 2 milionë € garanci Rama ja jep pa siklet, sigurisht me kushtin që ne, shoqëria civile dhe populli, të mos ia çajmë trapin: jo po spitalet, jo po shkollat e banalitete si këto!
Mos u trembni nëse këngëtarja kërkon edhe ca miliona të tjera, se flitet për nder e dinjitet kombëtar, jo për pordhalitete e ordinerizma apo ahengje dhe, mos o Zot, për vjedhje e abuzime!
E di që e keni në majë të gjuhës se ku do të gjenden lekët apo nëse kemi nevoja të tjera më të ngutshme! Po, nëse sot protestojmë që Shqipëria është e jona, kemi detyrimin që t’i mbrojmë edhe nderin, atë nder që Rama ka 13 vjet në krye të qeverisë që po bëhet copë për ta mbrojtur, pavarësisht se për arsye të tjera nuk ia ka arritur dot, ndaj po lyp nder nëpër botë!
Nëse biem dakord për këtë, atëherë duhet të lidhim besën që të mos fillojmë llap-llap me KM dhe Gonxhen, si me rastin e Kanye West!
Meqë e dhiem muhabetin me këtë të fundit, t’i tregojmë KM-së dhe shokëve të tij që kali i mirë nuk shahet pse u rrëzua një herë!
Tani, o burra, t’i kërkojmë falje KM-së, Gonxhes dhe kompanisë së tyre që gabimin që bëmë me përfoljen e parave të Kanye West do ta shlyejmë me mbylljen e gojës për paratë e Lopez!
Madje, ju, po të jeni burra, hapni edhe një fond emergjent e shtini të gjithë sa të mundeni, që së pari të lani surratin tuaj nga turpi që keni bërë dhe, së dyti, Shqipërisë, e cila nderin që e ka në buzë të greminës, t’ia mbrojë Jennifer Lopez pasi ia shpëtoi Kanye West!
Është prova para atdheut, ndaj mendohuni mirë dhe mos u bëni njerëz të vegjël apo, më keq akoma, materialistë!