VIDEO/ Ayala-s i vijnë mendtë pas veprimit të shëmtuar ndaj Dani Olmos: Jam penduar, do t'i kërkoj ndjesë personalisht
Roberto Ayala, pjesëtar i stafit teknik të Argjentinës, ka kërkuar falje publike për incidentin me Dani Olmon pas finales së Botërorit 2026, duke pranuar se reagimi i tij ishte i gabuar dhe i papërshtatshëm.
Në një intervistë për emisionin "Esports Migdia" në Valencia Capital Radio, ish-mbrojtësi argjentinas shpjegoi ngjarjet që ndodhën menjëherë pas përfundimit të finales së humbur ndaj Spanjës.
"Kur pashë përplasjen në mes të fushës, u përpoqa të shkoja për të ndihmuar dhe për të ndarë lojtarët tanë, që situata të mos përfundonte në atë mënyrë. Marr përgjegjësinë për atë që bëra. Synimi im ishte vetëm të ndërhyja dhe të ndaja palët. Në ato momente adrenalina është shumë e lartë, por kjo nuk është justifikim. Pozicioni që mbaj më detyron të sillem ndryshe", deklaroi Ayala.
ℹ️ Roberto Fabián Ayala en EXCLUSIVA en @esportsvcr: "Cuando termina el partido mi intención era separar pero luego pasaron cosas con las pulsaciones a mil. No es excusa lo que ocurrió y no debí hacerlo. Más fue un empujón que un puñetazo, fue una reacción a unas palabras. Si veo…
— Álex Domínguez (@AlexDominguezTW) July 22, 2026
Duke folur për shtyrjen ndaj Dani Olmos, ai mohoi se kishte pasur një goditje me grusht.
"Ishte vetëm një shtyrje, jo një grusht siç është thënë. Ishte një reagim pas disa fjalëve që u thanë në atë moment. Nëse takohem me Dani Olmon, do t'i kërkoj falje personalisht", u shpreh ai.
Ayala pranoi se është penduar për veprimin e tij dhe theksoi se emocionet nuk duhet të ndikojnë në sjelljen e një anëtari të stafit teknik.
"Jam penduar. Në pozicionin tim nuk mund ta lejoj veten që emocionet apo provokimet të ndryshojnë sjelljen time. Të gjithë mund të reagojmë gabim në një moment, por duhet të dimë të kërkojmë falje dhe të pranojmë pasojat", tha ai.
Në intervistë, Ayala komentoi edhe polemikat për faktin që lojtarët argjentinas nuk morën pjesë në festën e Spanjës gjatë ceremonisë së medaljeve. Sipas tij, kjo është interpretuar gabim.
"Tani kërkohen vetëm gjëra që ta paraqesin Argjentinën në një dritë negative. Kishte familjarë tanët që po përballeshin me probleme në tribuna dhe ne shkuam drejt tyre. Ishte një mënyrë për t'i falënderuar tifozët tanë për mbështetjen dhe sakrificat e tyre", përfundoi Ayala.