Aksidenti tragjik në Unazën e Madhe, humb jetën drejtuesi i betonieres, pasagjeri në gjendje të rëndë
Një aksident i rëndë me pasojë një viktimë dhe dy persona të plagosur është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure te rrethrrotullimi i TEG-ut në Tiranë.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 16:20, një kamion pompë betoni është përplasur me një automjet në rrethrrotullimin e TEG-ut. Si pasojë e përplasjes, mjeti i tonazhit të rëndë ka çarë barrierat metalike mbrojtëse dhe ka përfunduar në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Nga aksidenti, një prej personave që udhëtonte në kamionin pompë betoni dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia bën me dije se dy personat që ndodheshin në kamion janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo personi që ndodhet aktualisht në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë në aksident, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve të aksidentit.