Rritja e vlerës nga Kupa e Botës, rekord botëror për Lamine Yamal dhe Haaland
Lamine Yamal dhe Erling Haaland janë tashmë në majën e futbollit botëror. Pas përfundimit të Botërorit 2026, faqja e specializuar Transfermarkt ka përditësuar vlerat e lojtarëve dhe dy ‘yjet’ e rinj kanë vendosur një rekord historik: secili prej tyre vlerësohet me 220 milionë euro.
Sulmuesi spanjoll, kampion bote me “La Roja”-n, ka rritur vlerën e tij me 20 milionë euro falë paraqitjeve të shkëlqyera në turne, ndërsa Haaland ka arritur të njëjtën shifër pas një Botërori historik me Norvegjinë. Për herë të parë në histori, një futbollist kalon kufirin e 200 milionë eurove në vlerësimin e Transfermarkt, dhe tani dy lojtarë ndajnë fronin si më të shtrenjtët e planetit.
Edhe Kylian Mbappé ka përfituar nga performancat e tij në Kupën e Botës. Sulmuesi i Real Madridit, autor i 10 golave me Francën, arrin në 200 milionë euro, duke u bërë lojtari i tretë që prek këtë shifër.
Rritjen më të madhe e ka regjistruar Michael Olise. Anësori i Bayern Munichut theu rekordin e asistimeve në një edicion të Botërorit dhe tashmë vlerësohet me 170 milionë euro, 20 milionë më shumë se më parë. Ai renditet si futbollisti i katërt më i shtrenjtë në botë.
Top-pesëshen e mbyll Jude Bellingham me 160 milionë euro, ndërsa pas tij vijnë Pedri dhe Vinícius Junior. Elliot Anderson dhe Julián Álvarez gjithashtu kanë shënuar rritje të konsiderueshme, duke arritur respektivisht 120 dhe 110 milionë euro.
Sa u përket legjendave të futbollit, Lionel Messi vazhdon të vlerësohet me 15 milionë euro, ndërsa Cristiano Ronaldo me 10 milionë euro, shifra që duken modeste krahasuar me atë që do të kishin vlejtur në kulmin e karrierës së tyre.