SYRI TV/ Berisha: Rama ka angazhuar SHISH për protestën, janë hapur mijëra profile false
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor Shërbimin Informativ të Shtetit kundër protestës së opozitës, duke pretenduar se janë hapur profile false në rrjetet sociale për ta dëmtuar atë. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha u ndal edhe te sezoni turistik, për të cilin tha se plazhet janë më bosh se vitet e kaluara për shkak të çmimeve të larta dhe faktorëve ekonomikë. Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për reformën territoriale, duke e akuzuar se po synon ta miratojë në mënyrë të njëanshme.
Kryeministri Edi Rama po përdor shërbimin informativ kundër protestës dhe protestuesve. Kështu u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas kreut të selisë blu, në koordinim me Beogradin dhe me orientim nga SHISH, janë hapur profile false në rrjetet sociale për të dëmtuar protestën.
Teksa u ndal te sezoni turistik i këtij viti, Berisha tha se plazhet shqiptare janë bosh më shumë se asnjëherë tjetër. Kjo, sipas tij, për shkak të çmimeve të rritura, narkoeuros, e cila ka dëmtuar tregun, por edhe qëndrimit të Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.
Berisha u ndal sërish te reforma territoriale, duke u shprehur se Edi Rama po kërkon ta miratojë atë në mënyrë të njëanshme, duke prishur konsensusin.