Foden i mbyll derën Milanit, rinovon me Manchester City-n deri në vitin 2030

Phil Foden do të vazhdojë të jetë pjesë e Manchester City-t edhe për shumë vite të tjera, duke u dhënë fund zërave që e lidhnin me një transferim të mundshëm te Milani. Mesfushori anglez ka rinovuar kontratën me kampionët e Anglisë deri më 30 qershor 2030, me opsion për ta zgjatur edhe për një sezon tjetër.

Edhe pse marrëveshja ishte arritur prej disa javësh, klubi e bëri zyrtare vetëm sot. Në këtë mënyrë, çdo spekulim për një kalim të tij në Serie A është shuar përfundimisht.

Lidhja mes Fodenit dhe Manchester City-t është e veçantë. Ai është rritur në akademinë e klubit dhe është shndërruar në një nga simbolet e epokës së Pep Guardiolës. Anglezi nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të qëndruar te klubi ku është formuar si futbollist.

Pas firmës së re, Foden u shpreh i lumtur për vazhdimin e aventurës së tij: "Është një ndjesi e jashtëzakonshme. Jam këtu që fëmijë, kam kaluar në çdo nivel të akademisë deri te skuadra e parë dhe të luaj për City-n ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Që kur isha i vogël kam menduar vetëm të luaj këtu dhe të fitoj trofe. Ky është klubi perfekt, vendi ku ndihem vërtet i lumtur dhe ku e shijoj çdo ditë futbollin."

Me largimin në vitet e fundit të figurave si Kevin De Bruyne dhe Bernardo Silva, Foden pritet të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në skuadër. Ai nuk do të jetë më vetëm talenti i madh i ekipit, por edhe lideri teknik dhe emocional i Manchester City-t në epokën pas Guardiolës.

"Shpresoj të vë në shërbim të skuadrës përvojën time, fitoret dhe gjithçka kam mësuar gjatë këtyre viteve. Dua t'ua përcjell këtë edhe lojtarëve të rinj, që së bashku të vazhdojmë të fitojmë shumë trofe," përfundoi 26-vjeçari.