Shpërthimi i Ebolës: Numri i viktimave shkon në 999 në Republikën Demokratike të Kongos

Republika Demokratike e Kongos ka regjistruar 999 viktima të konfirmuara të lidhura me shpërthimin e virusit Ebola, njoftoi të mërkurën Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i vendit.

Instituti bëri të ditur se aktualisht 2,473 persona janë të infektuar me Ebola, ndërsa 737 pacientë po trajtohen në izolim.

Sipas autoriteteve, 82% e kontakteve të lidhura me rastet e konfirmuara të Ebolës po gjurmohen aktualisht. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se 90% e kontakteve duhet të identifikohen dhe të monitorohen për ta vënë shpërthimin nën kontroll.

Deri më tani, infeksione me këtë sëmundje virale kërcënuese për jetën janë regjistruar në pesë nga 26 provincat e këtij shteti të Afrikës Qendrore, i cili ka një popullsi prej 116 milionë banorësh.

Provinca verilindore e Iturit është epiqendra e shpërthimit aktual. Ituri kufizohet me Ugandën dhe Sudanin e Jugut. Edhe Uganda ka regjistruar raste me Ebola, përfshirë dy viktima.

Ebola është një sëmundje kërcënuese për jetën që transmetohet përmes kontaktit fizik dhe kontaktit me lëngjet trupore. Shpërthimi aktual ka rezultuar veçanërisht i vështirë për t’u frenuar, pjesërisht sepse ende nuk ekziston një vaksinë ose trajtim specifik për variantin Bundibugyo, i cili po përhapet në Kongo.

Që nga fillimi i muajit korrik, janë duke u zhvilluar prova klinike për dy terapi antivirale./DPA News