Nga Bovilla në Adriatik: Ujëra të ndotur kudo!

Në tëtor të vitit të kaluar, një monitorim i H2H Foundation gjeti se në 14 trupa ujorë në Shqipëri, ndotja mikrobiologjike dhe kimike ishte e përhapur pothuajse në të gjithë sistemin ujor, nga rezervuarët e ujit të pijshëm te liqenet rekreative dhe bregdeti, si pasojë e ujërave të patrajtuara, rrjedhjeve bujqësore dhe dështimeve të vazhdueshme në menaxhimin institucional.

Gati një vit më vonë, monitorimi i ri tregon se situata nuk është përmirësuar. Përkundrazi, në pesë prej baseneve më të rëndësishme të vendit, Liqenin Artificial të Tiranës, Bovillën, Farkën, Belshin dhe Hidrovorin e Hamallajt, shfaqen të njëjtat probleme: ndotje bakteriologjike, presion nga aktiviteti urban dhe bujqësor, si dhe masa mbrojtëse që nuk kanë mbajtur ritmin me degradimin e mjedisit.

Raporti rekomandon pothuajse kudo të njëjtat masa: monitorim më të shpeshtë, trajtim të ujërave të zeza, kontroll të ndotjes bujqësore dhe plane të posaçme menaxhimi. Vetë përsëritja e këtyre rekomandimeve tregon se problemi nuk është lokal, por sistemik.

Liqeni Artificial i Tiranës i ndotur me fekale

Askund kjo tablo nuk është më e dukshme sesa te Liqeni Artificial i Tiranës, një nga hapësirat publike më të frekuentuara në vend.

Çdo ditë mijëra qytetarë ecin, vrapojnë apo kalojnë kohën pranë ujit. Por analizat laboratorike tregojnë një realitet që nuk shihet me sy.

Në dy pikat e monitorimit, niveli i bakterit E. coli, një nga treguesit kryesorë të ndotjes fekale, arrin në 1.200 dhe 3.400 njësi për 100 mililitra ujë, disa herë mbi mesataret e pranuara nga Direktivat e BE-së. Turbullira varion nga 60.7 në 106 NTU, ndërsa nitratet arrijnë deri në 240 mg/l, tregues që lidhen me ndikimin e aktivitetit njerëzor.

Sipas, prania e lartë e E. coli nuk do të thotë se liqeni duhet mbyllur, por është një sinjal që kërkon monitorim më të shpeshtë dhe informim më të mirë të publikut.

“Qëllimi nuk është të krijohet panik, por që qytetarët të dinë çfarë rreziku mund të ketë dhe si të mbrohen. Kur nivelet e E. coli janë të larta, ato mund të sinjalizojnë praninë e mikroorganizmave të tjerë që paraqesin rrezik, veçanërisht për fëmijët dhe personat më të ndjeshëm,” shprehet eksperti i H2H Foundation, Erjon Kalaja.

Raporti paralajmëron se ekspozimi ndaj ujit me ngarkesë të lartë bakteriale është shumë më i madh sesa sugjeron pamja e tij. Për një hapësirë ku familjet dhe fëmijët kalojnë çdo ditë, kjo nënkupton se perceptimi i sigurisë nuk përputhet domosdoshmërisht me cilësinë reale të ujit.

Bovilla, burimi i ujit të pijshëm të kryeqytetit nën presion

Rezervuari i Bovillës furnizon pjesën më të madhe të Tiranës me ujë të pijshëm dhe nuk konsiderohet një zonë në krizë. Megjithatë, monitorimi identifikon shenja që tregojnë rritje të problemeve në pellgun ujëmbledhës.

Në njërën nga dy pikat e monitorimit u konstatuan E. coli, baktere koliforme dhe nivele më të larta të turbullirës, nitrateve dhe kalciumit krahasuar me pikën tjetër, duke shtuar se cilësia e ujit nuk është e njëjtë në të gjithë rezervuarin dhe se disa zona janë më të ekspozuara ndaj burimeve të ndotjes.

Aktualisht, impianti i trajtimit vazhdon ta bëjë ujin të sigurt për konsum. Megjithatë, raporti paralajmëron se rritja e ngarkesës mikrobiologjike e bën procesin e trajtimit më kompleks dhe rrit presionin mbi sistemin.

Kalaja thekson se gjetjet nuk janë arsye për shqetësim për ujin që del nga rubinetat, por sinjal se vetë rezervuari duhet mbrojtur më mirë.

“Mesazhi kryesor nuk është se uji i pijshëm është i pasigurt. Sa më e madhe të jetë ndotja në burim, aq më e lartë bëhet ngarkesa mbi impiantin dhe aq më shumë rriten kostot e trajtimit. Monitorimi duhet parë si mjet parandalues.”

Në vitet e fundit është shtuar edhe aktiviteti rekreativ përreth Bovillës. Vizitorët, automjetet “off-road”, mungesa e brezave mbrojtës dhe kontrolli i kufizuar i territorit po ushtrojnë presion mbi një rezervuar me rëndësi jetike për kryeqytetin.

Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë krijimin e zonave mbrojtëse, monitorim më të shpeshtë të cilësisë së ujit dhe identifikimin e burimeve konkrete të ndotjes përpara se situata të përkeqësohet.

Farka dhe Belshi sërisht me probleme

Monitorimi i Liqenit të Farkës tregon se ndotja mund të ndryshojë ndjeshëm edhe brenda të njëjtit liqen. E. coli rritet nga 200 në 1.400 njësi për 100 ml, ndërsa koliformet totale nga 1.500 në 7.000. Për fermerët që përdorin ujin për ujitje, kjo do të thotë se cilësia mund të ndryshojë ndjeshëm brenda pak qindra metrash. Për vizitorët, ndërkohë, një liqen që duket i pastër mund të fshehë një ngarkesë të lartë bakteriale.

Belshi paraqet një situatë të ndryshme, por jo më pak shqetësuese. Shumica e parametrave fiziko-kimikë rezultojnë brenda kufijve të pranueshëm, por analizat identifikojnë kalcium të lartë, kalium mbi normë dhe koliforme totale deri në 700 njësi për 100 ml, edhe pse E. coli nuk u evidentua.

Liqeni i Tafanëve, ku pothuajse çdo tregues ngre alarm

Nëse një trup ujor përmbledh shumicën e problematikave të evidentuara nga monitorimi në zonat e ndryshme të Shqipërisë, ai është Liqeni i Tafanëve.

Analizat identifikojnë një kombinim të gjerë treguesish problematikë: pH alkalin, turbullirë të lartë, oksigjen të tretur më të ulët në njërën pikë të monitorimit, si dhe përqendrime të larta të kalciumit, nitrateve dhe kaliumit. Edhe ngarkesa mikrobiologjike është e konsiderueshme. Mostrat identifikuan E. coli në nivele prej 2.900 dhe 1.000 njësi për 100 mililitra, koliforme totale deri në 15.000 njësi, si dhe enterokokë në 300 dhe 600 njësi.

Ekspertët identifikojnë burime të shumta ndotjeje që veprojnë paralelisht dhe rekomandojnë një qasje të integruar që adreson njëkohësisht kanalizimet, aktivitetin bujqësor dhe menaxhimin e territorit.

Sipas Kalajës, ndryshimet e mëdha mes pikave të monitorimit tregojnë se ndotja nuk është e shpërndarë në mënyrë uniforme.

“Presioni kryesor vjen nga zhvillimi i shpejtë pranë brigjeve, ndërsa kanalizimet dhe trajtimi i ujërave të zeza nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm.”

Hamallaj, ku ndotja përfundon në det

Historia nuk mbaron te liqenet. Në Hidrovorin e Hamallajt, aty ku ujërat kulluese derdhen në Adriatik, monitorimi tregon se ndotja e grumbulluar në brendësi të vendit vazhdon rrugën drejt bregdetit.

Monitorimi identifikoi një pikë ku bashkohen presionet urbane, bujqësore dhe, në disa raste, edhe ato industriale. Analizat evidentojnë ndotje bakteriologjike, prani vajrash dhe yndyrash, si dhe tregues të tjerë që sinjalizojnë ndikimin e shkarkimeve që mbërrijnë në këtë zonë përmes rrjetit të kanaleve kulluese.

Megjithatë, Kalaja thekson se monitorimi nuk justifikon alarm për cilësinë e plazhit.

“Nga të dhënat e disponueshme, situata nuk konsiderohet kritike dhe plazhi kategorizohet me cilësi të mirë sipas standardeve europiane. Gjetjet janë një sinjal për monitorim më të kujdesshëm të shkarkimeve, jo për panik.”

Edhe pse monitorimi përfshiu trupa ujorë me karakteristika të ndryshme, përfundimi është i njëjtë: ndotja nuk lidhet me një liqen apo kanal të vetëm, por me mënyrën se si menaxhohen burimet ujore në Shqipëri.

Në pothuajse çdo rast, raporti identifikon të njëjtët faktorë: ujëra të zeza të patrajtuara, rrjedhje nga aktiviteti bujqësor, urbanizim pa infrastrukturën e nevojshme dhe monitorim të pamjaftueshëm. Për këtë arsye, rekomandimet janë pothuajse identike për çdo basen të monitoruar: zgjerim i monitorimit, trajtim i ujërave të ndotura përpara shkarkimit, kontroll më i rreptë i ndotjes nga bujqësia dhe plane të posaçme menaxhimi.

Vetë përsëritja e këtyre rekomandimeve nga një raport te tjetri sugjeron se problemet njihen prej kohësh, por zbatimi i masave mbetet i kufizuar.

Shumë institucione, pak përgjegjësi

Ekspertët nuk ia atribuojnë përgjegjësinë një institucioni të vetëm. Atya theksojnë se mbrojtja e burimeve ujore kërkon bashkëpunimin e bashkive, Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), strukturave të kullimit dhe komuniteteve lokale.

Por kjo listë e gjatë institucionesh nxjerr në pah edhe një problem tjetër: përgjegjësitë janë të shpërndara, ndërsa koordinimi mbetet i dobët.

Ndotja shpesh identifikohet, por burimet e saj nuk adresohen në mënyrë sistematike. Po ashtu nënvizohet se disa nga trupat ujorë të monitoruar nuk kanë qenë deri vonë pjesë e programit kombëtar të monitorimit, çka ngre pikëpyetje edhe për zona të tjera që mund të mos monitorohen rregullisht./acqj.al