Bashkia Vlorë ‘qeras’ me 2.7 mld lekë firmën e Safet Gjicit, për të ndërtuar qendër emergjencash

Elton Qyno Syri.net

Bashkia e Vlorës ka vendosur të “qerasë” me 2 miliard e 700 milion lekë kompaninë “Kevin Construksion”, e themeluar dhe kontrolluar me pronarin në hije, Safet Gjicin.

Kjo shifër financiare është ofruar nga kompania fituese, pasi qëllimi i këtij tenderi të publikuar nga bashkia Vlorë, me fond limit prej 2 miliar e 800 milion lekë, është ndërtimi i një objekti në qytetin e Vlorës, me synim “Ndërtim i Qëndrës Operacionale të Emergjencave Civile.

Vendimi për dhënien e tenderit tek kompania e lidhur ngushtësisht me Safet Gjicin, është marrë në 17 korrik 2026, ku njësia e prokurimit pranë bashkisë së Vlorës, ka vendosur të shpallë fitues Bashkimin e Operatorëve Ekonomikë, “Kevin Construksion” dhe “Apis Construksion”.

Aktualisht në letra, që prej vitit 2014, kur Safet dhe Manjola Gjici dhuruan aksionet, kompania “Kevin Construksion”, është në pronësi të Lavdrim Gjicit, vëllait të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, që dha dorëheqjen pas skandalit seksual brenda në zyrën e bashkisë Kukës.

Ndërsa kompania tjetër “Apis Construksion” është në pronësi të Ervin Tartaraj.  “Apis Construction” është një kompani e themeluar në vitin 2014, fillimisht me emrin “Global Service Consulting”, nga një shtetas i quajtur Besnik Binjakaj.

Por menjëherë sapo u themelua, kompania e pezulloi aktivitetin dhe kaloi në status pasiv. “Global Service Consulting” qëndroi e pezulluar për plot 7 vite për t’u riaktivizuar në vitin 2022.

Menjëherë pas riaktivizimit, në qershor të vitit 2022, Besnik Binjakaj vendosi që t’ia dhurojë aksionet e tij një personi të quajtur Ervin Tartaraj.

Të dyja kompanitë fituese të 2.7 miliard lekëve të vjetra, “Kevin Construksion” dhe “Apis Construksion”, kanë hyrë në këtë tender përmes skemës së Bashkimit të Operatorit Ekonomik.

Ato konkuronin përballë dy kompanive të tjera si “ArkonStudio” në pronësi të Erjon Kërit, Krenar Dila dhe “Rafin Company” në pronësi të Renido Petritaj.

Si “ArkonStudio” dhe “Rafin Company”, janë skualifikuar nga njësia e prokurimit në Bashkinë Vlorë, pasi “ArkonStudio” nuk dorëzoi asnjë dokumentacion në SPE dhe nuk paraqiti ofertë ekonomike.

Ndërsa “RAFIN COMPANY”, sipas njësisë së prokurimit nuk paraqiti dokumentacionin e kërkuar sipas Dokumenteve Standarde të Tenderit(DST).