SYRI TV/ Sadushi pritet ta ‘zhdukë’ veprën penale 'shpërdorim detyre', GJL në mbrojtje të zyrtarëve abuzues
Pak muaj pasi maxhoranca socialiste nuk gjeti konfirmimin e Bashkimit Europian për të zbutur efektet e veprës penale “Shpërdorim detyre”, një tjetër mekanizëm është aktivizuar për të shpëtuar sa më shumë zyrtarë të qeverisë nga dënimi.
Në lojë ka hyrë Gjykata e Lartë, nën drejtimin e kryetarit Sokol Sadushi.
Në 12 Shtator 2025, trupa e plotë e gjyqtarëve do të mblidhet për të njehsuar praktikën, e cila është e konsoliduar tashmë prej vitesh.
Në njoftimin e Gjykatës së Lartë thuhet se kjo iniciativë është ndërmarrë pas rekursit të dorëzuar nga Prokuroria e Posaçme. Në janar të vitit 2025, SPAK-u kërkoi dënimin me 1 vit burgim dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksionit publik për 5 vjet për kryebashkiakun socialist të Devollit, Eduard Duro.
Drejtuesi lokal u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, një vendim që u la në fuqi më pas edhe nga Apeli i Posaçëm.
Prokuroria këmbëngul në fajësinë e tij dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Pasi ka marrë në dorëzim ankimin e SPAK-ut, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi ta kalojë çështjen për shqyrtim nga të gjithë gjyqtarët.
Ata thirren për t’iu përgjigjur pyetjes nëse veprimet në kundërshtim me aktet nënligjore a konsiderohen shpërdorim detyre. Rasti i Duros mund të kishte marrë një zgjidhje rutinore nga Gjykata e Lartë.
Por, fakti që është vendosur të merret një vendim për njehsim praktike, situata e tejkalon fatin personal të kryebashkiakut të Devollit dhe pritet të vendosë një standard të përgjithshëm për të gjithë zyrtarët që përballen me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në Raportin për Gjendjen e Kriminalitetit për vitin 2025, Prokurori i Përgjithshëm raporton për rritje të tendencës së kryerjes së “Shpërdorimit të detyrës”.
Po ashtu, edhe Prokuroria e Posaçme ka raportuar publikisht për raste të kryerjes së kësaj vepre penale nga ana e zyrtarëve të lartë. Gjithashtu, pak ditë më parë, Partia Demokratike dorëzoi në SPAK një kallëzim penal ndaj kryeministrit, Edi Rama për “Shpërdorim detyre”, në vijim të fakteve të publikuara në librin “Albania Files”, ku rezulton se kreu i qeverisë ka përzgjedhur arkitektë për kullat në Tiranë e resortet në bregdet.
Me vendimin e pritshëm, Gjykata e Lartë duket se po u siguron një imunitet ekstra-ligjor zyrtarëve, përfshirë edhe atyre të lartë, nga shpërdorimi i detyrës.