Shkodra pa ujë të pijshëm/ Deputeti i PD: Paaftësi ulëritëse, neglizhencë dhe braktisje nga Pushteti Vendor

Deputeti i Partisë Demokratike për Shkodrën Kliti Hoti ka reaguar me nje deklaratë publike në lidhje me mungesën e ujit në qytetin e Shkodrës.

“Prej dy ditësh,  qytetarët kanë mbetur pa pikë uji në çezma, ndërsa në ato pak zona ku furnizimi është rikthyer, nga rubinetat rrjedh një ujë i turbullt, i ndotur dhe plotësisht i papërdorshëm, që rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e tyre”.

“Kjo është një skenë e turpshme për qytetin tonë. Shkodra, rajoni më i pasur në të gjithë Shqipërinë me burime ujore, po vuajtur për ujë të pijshëm si të ishte në mes të shkretëtirës!”. “E gjithë kjo dëshmon paaftësinë ulëritëse, neglizhencën dhe braktisjen totale që Pushteti Vendor dhe Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve po u bëjnë qytetarëve shkodranë”, tha ai në prononcimin e tij.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë të Shkodrës,

Të nderuar përfaqësues të medias,

​Në këto ditë të nxehta të korrikut, kur temperaturat po arrijnë maja ekstreme dhe uji i pijshëm është jo thjesht një e drejtë elementare, por një kusht mbijetese, mijëra familje shkodrane po përjetojnë një makth të vërtetë. Prej dy ditësh,  qytetarët kanë mbetur pa pikë uji në çezma, ndërsa në ato pak zona ku furnizimi është rikthyer, nga rubinetat rrjedh një ujë i turbullt, i ndotur dhe plotësisht i papërdorshëm, që rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e tyre.

Kjo është një skenë e turpshme për qytetin tonë. Shkodra, rajoni më i pasur në të gjithë Shqipërinë me burime ujore, po vuajtur për ujë të pijshëm si të ishte në mes të shkretëtirës! E gjithë kjo dëshmon paaftësinë ulëritëse, neglizhencën dhe braktisjen totale që Pushteti Vendor dhe Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve po u bëjnë qytetarëve shkodranë.

Mbi 20 milionë euro të pretenduara si investime ndër vite por rezultati është zero!

​Ku kanë shkuar këto para? Pse Shkodra vazhdon të përballet me:

​Ndërprerje drastike të ujit pikërisht në kulmin e vapës së verës;

​Mungesë të furnizimit 24 orë në shumicën e lagjeve;

​Braktisje totale të lagjeve periferike dhe fshatrave, të cilat nuk kanë parë asnjë investim serioz;

​Cilësi katastrofike të ujit, i cili shpesh vjen me baltë e mbetje.

Çmimi i ujit është rritur me 37.5%, ndërsa me ardhjen e drejtimit të ri të Bashkisë, barra mbi qytetarin është rënduar akoma më shumë. Nëntë vite më parë një lidhje e re kontrate kryhej si shërbim falas nga bashkia, ndërsa sot qytetarët detyrohen të paguajnë 100 mijë lekë të vjetra! Po ashtu, çdo dëmtim apo amortizim i matësit i faturohet pa asnjë mëshirë abonuesit. Kjo nuk është mbështetje për qytetarët.

Sot, ne i drejtojmë publikisht këto pyetje Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Bashkisë Shkodër:

​Kur do të rikthehet furnizimi normal me ujë në çdo lagje dhe fshat të Shkodrës?

​A janë kryer analizat e cilësisë së ujit të turbullt që po vjen në çezma dhe ku janë rezultatet zyrtare laboratorike për sigurinë e tij?

​Sa janë humbjet reale teknike e administrative në rrjet sot, pas 20 milionë eurove të shpenzuara?

​Ku kanë përfunduar fondet e investuara gjatë këtyre viteve dhe kush mban përgjegjësi administrative e penale për këtë dështim?

Ujësjellës-Kanalizime Shkodër duhet të mbajë përgjegjësi dhe të furnizojë me ujë të pijshëm qytetarët e saj.