Kuçovë, zjarri i djeg shtëpinë, komshinjtë shpëtojnë 90 vjeçaren

Zjarri i rënë sot në një banesë në fshatin Rapi në qytetin e Kuçovës i rrezikoi jetën një 90 vjeçareje e cila jetonte e vetme.

Zjarri,që mendohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në njërën nga prizat e shtëpisë. Ai është shfaqur fillimisht në dhomën e ndenjes dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën.

90-vjeçarja Sherina Hatija, e cila jetonte e vetme në banesë, është shpëtuar dhe nxjerrë jashtë banesës nga komshinjtë dhe më pas është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të qytetit të Kuçovës për një kontrroll rutinë, po pa probleme dhe djegie.

Në vendngjarje kanë shkuar Shërbimet Zjarrëfikëse të qytetit të Kuçovës dhe më pas, në ndihmë të tyre për fikjen e zjarrit, kanë shkuar edhe Shërbimet Zjarrëfikëse të qytetit të Dimalit.

Në një kohë të shkurtër, zjarri është lokalizuar dhe fikur por dëmet e shkaktuara në banesë janë të mëdha. Grupi hetimor në vendngjarje pp punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit,që paraprakisht dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.