Mourinho nis ‘spastrimin’ te Reali! Vendos fatin e tre talenteve dhe jep sinjal për Rodrin

Jose Mourinho ka nisur punën për ndërtimin e Real Madridit të sezonit të ri dhe vendimet e para të trajnerit portugez kanë filluar të marrin formë.

Sipas mediave spanjolle, tekniku ka përcaktuar tashmë të ardhmen e tre prej talenteve më premtues të klubit.

Sipas gazetares së COPE, Arancha Rodriguez, Mourinho ka zhvilluar biseda individuale me lojtarët që nga rikthimi i tij në “Santiago Bernabeu” dhe po vlerëson me kujdes skuadrën gjatë fazës përgatitore.

Dy emrat që pritet të largohen në formë huazimi janë Franco Mastantuono dhe Raul Asencio. Të dy konsiderohen futbollistë me potencial të madh, por Mourinho beson se një sezon me më shumë minuta në një skuadër tjetër do të përshpejtonte zhvillimin e tyre.

Asencio ka humbur terren edhe pas transferimit të Ibrahima Konates, ndërsa Mastantuono, megjithëse vlerësohet shumë nga klubi, pritet të fitojë përvojën e nevojshme larg Madridit.

Ndryshe paraqitet situata e Gonzalo Garcias. Sulmuesi 22-vjeçar ka bindur Mourinhon me paraqitjet, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij gjatë përgatitjeve verore, ndaj pritet të mbetet pjesë e ekipit të parë dhe të ketë rol në sezonin e ardhshëm.

Paralelisht me vendimet për të rinjtë, Real Madridi vazhdon të jetë aktiv në merkato.

“Los Blancos” monitorojnë emra të mëdhenj si Rodri dhe Michael Olise, ndërsa largimet e mundshme pritet të krijojnë hapësirën financiare dhe sportive për afrimet e reja.

Me Mourinhon në krye, në Madrid duket se ka nisur një epokë e re, ku vendimet e forta dhe konkurrenca për një fanellë titullari do të jenë në qendër të projektit të ri.